Lajme

Xhaçka, bisedë telefonike me homologun e saj të EBA: Mirëpresim forcimin e bashkëpunimit

01/24/2022 17:53
nga:Gazeta Blic

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, zhvilloi sot një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, sheik Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

Biseda u fokusua në zhvillimet e fundit në Emiratet e Bashkuara Arabe, bashkëpunimin dy dhe shumëpalësh.

Një vend të veçantë gjate bisedës zuri shkëmbimi i mendimeve mbi bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku dy vendet kanë marrë mandatin dy vjeçar si anëtare jo të përhershme.

Lindja e Mesme do të jetë në fokusin e Shqipërisë gjatë mandatit të saj në KS të OKB-së, u shpreh ministrja Xhaçka dhe siguroi vullnetin për të punuar së bashku me palën emiratase në avancimin, ndarjen e agjendave dhe prioriteteve në kuadër të Këshillit të Sigurimit.

Ministrja Xhaçka u shpreh se dënon sulmin terrorist ndaj EBA-s, si një akt në shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe i siguroi homologut të saj solidaritetin e Qeverisë shqiptare./Tch