Sporti

Xavi: E pranoj, ishim dobët

03/04/2024 13:56
nga:E K

Barcelona e shpërdoroi mundësinë për të shkuar në vendin e dytë të renditjes e për t’u afruar me Realin e Madridit. Katalanasit barazuan 0-0 në “San Mames” përballë Athletic Bilbaos.

Pas ndeshjes, trajneri Xavi Hernandez analizoi përballjen e fortë me baskët, ndërsa u ndal dhe te dëmtimet e dy mesfushorëve Frenkie de Jong-Pedri.

“Mendoj se nuk luajtëm mirë, nuk sulmuam siç duhet. Duhet të kishim bërë një hap përpara, jemi të trishtuar. Nuk kemi dhënë versionin më të mirë, duhet të bënim më tepër.

Është një mundësi e humbur për t’u afruar me vendin e parë. Skuadra mund të kishte bërë më shumë. E kishim të vështirë të gjenim hapësira. Duhet të përmirësohemi, por na vjen keq që e humbëm mundësinë për t’u afruar me Realin.

Të dëmtuarit? Jemi të shqetësuar për gjendjen e tyre. Mendojmë se bëhet fjalë për dëmtime serioze, por do të na duhet të mësojmë më tepër për dëmtimet e De Jongut dhe Pedrit.

Ajo çka mund të them është se na vjen keq që do të na mungojnë për disa ndeshje. Për ne janë të dy lojtarë shumë të rëndësishëm“.

Barcelona aktualisht ndodhet në vendin e tretë të renditjes me 58 pikë, një më pak se Girona e vendit të dytë dhe 8 më pak se skuadra e Carlo Ancelottit.