Pas vendosjes së flamurit të Kosovës në Komunën e Leposaviqit, njohësi i çështjeve politike, Visar Xani thotë se tani mision është se sa do të mund të mbahet aty.
Xani theksoi se Kosova duhet të tregohet serioze dhe e fuqishme për ta mbajtur situatën në kontroll.
“Ne u kënaqëm që e pamë flamurin e Kosovës aty, por tash misioni tjetër është se sa do të mund ta mbajmë flamurin e Kosovës. Dhe suksesi i gjithë këtij projekti, konsideroj është që Kosova të tregohet serioze dhe të tregohet e fuqishme për të mbajtur situatën me të cilën ka filluar ballafaqimi dhe duket që ka tash për tash në kontroll me forcat policore”, deklaroi ai në Tëvë1.
Sipas tij, deklarata e ambasadorit amerikan Jeff Hovenier ishte shumë e ashpër.
“Por çka ka ikur këtu nga dora?! Ka ikur nga dora duket që procesi koordinues diplomatik. Deklarata e ambasadorit amerikan ishte shumë e qetë, ishte shumë e ashpër, dhe konsideroj do duhej të ishte jashtëzakonisht një situatë e pakoordinueshme dhe papajtueshme për të parë një deklaratë të tillë nga SHBA”, shtoi Xani.
Ambasadori Hovenier ka thënë se masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë. Ai po ashtu ka deklaruar se SHBA-ja dënon “veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës”.
Situata në veri është tensionuar që nga mesdita e sotme, si shenjë pakënaqësie nga serbët lokal pas betimit që kanë bërë dje kryetarët e komunave në Leposaviq, Zubin Potok, dhe Zveçan.


