Lajme

Xani: Nëse bie draft-statuti i BE-së për Asociacionin, mund të kthehet ai i ekipit menaxhues

03/01/2024 18:45
nga:Sh R

Analisti, Visar Xani ka vlerësuar se nëse Bashkimi Evropian nuk është kompetent për të propozuar draft-statutin për Asociacionin është rreziku që ekipi menaxhues i formuar sipas marrëveshjes ta bëjë këtë draft.

Ai këtë e ka thënë duke e komentuar deklaratën e kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, se Bashkimi Evropian nuk ka kompetenca ta propozoj draft-statutit për Asociacionin.

Xani në emisionin “Ditari” në Tëvë1, tha se drafti i propozuar nga ekipi menaxhues i cili është shkarkuar nga Qeveria e Kosovës, mund të vije në shprehje nëse ai i BE-së bie poshtë.

“Nëse BE nuk është kompetente, kush është, është ai ekipi menaxhues që e ka dërguar një draft në frymën e një kushtetute. Ata realisht në bazë të marrëveshjes kanë qenë kompetent. Problemi i Kosovës është pse nuk ka arritur t’i asistojë, mbështesë dhe mbikëqyrë atë ekip menaxhues. Dokumenti i tyre është zyrtar. Nëse draft-statuti i BE-së bie poshtë do të vije valid ai dokument, nuk ka rrugë tjetër dhe zgjidhje tjetër”, ka thënë Xani.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka kompetencë që t’i propozojë Kosovës draft të statutit për themelimin e Asociacionit.

Një ditë pas kërkesës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier që Kosova të dërgojë draftin e propozuar nga euro-amebikët në Gjykatë Kushtetuese, kryeparlamentari Konjufca, tha se Kosova nuk mundet të qëndrojë gatitu dhe çfarëdo drafti që BE-ja, propozon të dërgojë në kushtetuese.

Në tetor të vitit të kaluar zyrtarë të BE-së kishin dorëzuar një draft-statut për Asociacionin, ku parashihet se vlerësimi përfundimtar do t’i ipet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës kishte vlerësuar se ky draft është më i avancuar se ai nga marrëveshja e vitit 2013 dhe 2015. Por, Qeveria deri më tani nuk ka bërë ndonjë hap për themelimin e tij, pavarësisht kërkesës së BE-së dhe ShBA-së.