Sot, Posta e Kosovës, ka hapur degën e saj në Veri të Mitrovicës.
Përveç saj, ditët e fundit, në pjesën veriore janë hapur edhe disa biznese me pronarë shqiptarë.
Në vazhdimësi po deklarohet nga Qeveria dhe Kryeministri se janë duke punuar edhe për hapjen e Urës së Ibrit.
Po ashtu pas ardhjes së Kurtit në pushtet, në katër komunat në veri u vendosën kryetarët shqiptarë, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u mbajtën atje.
Pos si po shihen ndryshimet në Veri pas ardhjes së Albin Kurtit në pushtet?
Njohësi i zhvillimeve politike, Visar Xani, tha se ndryshimet në veri janë të dukshme por se duhen integrime dhe procese të përhershme.
Xani tha për “Gazeta Blic” se suksesi i plotë arrihet atëherë kur t’i bindim serbët lokalë se duhet ta shohin Koosvën si vendin e tyre.
“Ndryshimet në Veriun e Kosovës janë evidente por duhen integrime dhe duhen procese të përhershme të cilat nuk mund të rrënohen me një vendim politik. Nëse e krahasojmë me vitin 2014 dhe 2024 atëherë kemi patur rezistencë të madhe nga serbët lokalë dhe grupet kriminale. Por pas vitit 2014 ose në atë periudhë kishim marrëveshjet për integrimin e serbëve në institucionet lokale të Kosovës dhe pas këtij veprimi në vitin 2023 kemi bojkot të këtyre institucioneve por kemi instalim të strukturave të sigurisë dhe kemi pothuajse eleminim ose zvogëlim institucioneve paralele atje, mbyllje të tyre, të cilat i kemi parë por nuk kanë patur rezistencën e vitit 2014. Prandaj në një anë kemi aspekt pozitiv por në anën tjetër bojkoti i institucioneve disi e deeintegron komunitetin atje. Konsideroj se suksesi i plotë konkretizohet atëherë kur arrijmë t’i bindim serbët lokalë që duhet parë nga Prishtina dhe që duhet ta shohin Kosovën si vend të tyre, institucionet e Kosovës duhet të llogariten si institucione për të marrë shërbime dhe jo për t’i llogaritur si institucione ‘uzurpatore'” tha Xani për “Gazeta Blic”.
Ai tha se Qeverisë së Kosovës i mbetet edhe shumë punë për të bërë në pjesën veriore.
I njëjti potencoi se Kryeministri Kurti, me disa veprime të tij shpeshherë ka shkuar në limite gjë që mund të eskalojë situatën atje.
Xani tha se për veprime të tilla duhet të ketë koordinim të plotë me SHBA-të.
“Prandaj në këtë frymë, Qeverisë së Kosovës, i mbetet jashtëzakonisht punë për të bërë dhe duhet të synojë përveç instalimit të mbylljes së institucioneve ilegale dhe prezantimit të institucioneve kushtetuese dhe ligjore të Kosovës atje, është në interes që të kemi të qëndrueshme si situatë. Kryeministri Kurti shpesh me disa veprime ka shku deri tek limitet ku mund të eskalojë situata por fatmirësisht deri më tani nuk ka patur një eskalim që do të kthejë të gjithë procesin pas.Prandaj disa veprime që mund të jenë deri në limite duhet të kenë koordinim të plotë me SHBA-të me qëllim që të kemi sukses. Pra mund të themi se çështja e Urës së Ibrit pak a shumë është tek ato limitet që mund ta eskalojë situatën dhe në kete kuptim nëse nuk e kemi mbështetjen e ndërkombëtarëve është vështirë për të realizuar një proces paqësor” tha Xani në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”.

Visar Xani, Analist!
/Gazeta Blic/
Hapet dega e Postës së Kosovës në veri


