Lajme

Xani: Asnjë parti politike s’do të hezitojë të bëjë koalicion me LVV-në, nëse del në përqindje të njëjtë si në 2021!

10/23/2024 13:32
nga:Y I

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Visar Xani, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me koalicionet pas-zgjedhore.

Xani ka komentuar edhe deklarimet e fundit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës se nuk do të kenë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai tha se deklarimet në këtë periudhë mund të jenë më shumë për konsum politik elektoral sesa janë plotësisht të vërteta.

“Deklaratat e kësaj periudhe mund të merren për bazë më shumë si konsum politik elektoral por jo që mund të jenë plotësisht të vërteta për shkak që kjo do të varet shumë nga përqindja që do të merr partia e parë në pushtet. Edhe pse në Lidhjen Demokratike të Kosovës mund të ketë diçka më të vërtetë për shkak se i ka ende të freskëta pasojat që ka patur në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe që nuk ka funksionuar aspak dhe ka dalë një parti jashtëzakonisht e dëmtuar nga ky koalicion. Prandaj  mund të jenë më të kuptueshme hezitimet e tyre por që PDK-ja ende nuk e ka provuar koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje dhe për të parë rezultate të tilla nëse do të jetë i suksshëm apo i dështuar varet shumë qeverisja pas zgjedhjeve” tha Xani për “Gazeta Blic”.

Ai tutje potencoi se nuk do të ketë hezitim nga asnjë parti politike, për koalicion me LVV-në, nëse del me një përqindje të përafërt si në zgjedhjet e fundit

“Nuk besoj se do të ketë hezitim të madh nga asnjë parti politike nëse LVV-ja del me një përqindje pothuajse të përafërt që ka patur në zgjedhjet e fundit. Nga ky aspekt deklarimet e tilla më shumë mund të shërbejnë si konsum politik, elektoral me qëllim për  të ruajtur votuesit e vet” tha Xani në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.


Visar Xani, Analist!

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë deklaruar se nuk do të bashkëpunojnë me Lëvizjen Vetëvendosje pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.Kryetari i LDK-së, Abdixhiku, ka deklaruar se me Lëvizjen Vetëvendosje kanë probleme të thella ideologjike.

“Me Lëvizjen Vetëvendosje kemi probleme të thella ideologjike, politike dhe besa edhe të mirëbesimit. Kështu që është hendek i madh” ka deklaruar kryetari i LDK-së, Abdixhiku.Kategorikisht kundër një bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje është shprehur edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“E kam të pamundur me pa rrugë që na bën bashkë me Vetëvendosjen. Kjo është përgjigja ime. Si mund të bëhemi bashkë, si dy parti të cilat kanë qaq shumë dallime, edhe për të kaluarën, mirëpo sidomos për të ardhmen, që ideologjikisht qëndrojmë komplet ndryshe prej njëra tjetrës në temat e rëndësishme, duke përfshirë ekonominë. Unë nuk kam shancë me besu që ne mundemi me u marrë vesh, se s’kemi se si me u marrë vesh. Sepse në qeveri, asnjëherë nuk kemi me hy për hirë të pushtetit. Këtë po dua që t’ua bëjë të qartë. Kemi me hy për hirë që me kry punë për këtë vend”, ka theksuar Krasniqi.

/Gazeta Blic/