Lajme

William Walker rrëfen takimin prekës me vajzën që i tha: “Ajo që keni bërë ju ma ka shpëtuar jetën”

01/15/2026 22:06
nga:G B

Ambasadori dhe miku i njohur i Kosovës, William Walker, ka ndarë një rrëfim prekës personal duke treguar për një moment që, siç tha ai, e ka prekur thellë dhe e ka shoqëruar prej vitesh, shkruan Gazeta 10.

Walker rrëfeu se para dy vitesh, gjatë ardhjes së tij në Kosovë për kremtime përkujtimore, teksa po kalonte pranë varrezave, iu afrua një vajzë e re e cila i dorëzoi një zarf. Ai tregoi se, derisa po ecte, e hapi zarfin dhe lexoi mesazhin, fjalët e të cilit nuk i mban mend saktësisht, por përmbajtja ishte tejet domethënëse.

“Në zarf shkruhej diçka e tillë: ‘I dashur ambasador Walker, vetëm dua t’ju falënderoj në emër të babit dhe nënës sime. Ajo që keni bërë ju ma ka shpëtuar jetën. Po të mos e kishit bërë ju atë, unë nuk do të isha këtu sot’”, tregoi Walker.

Ai tha se këtë rast nuk e kishte përmendur atëherë, as kur kishte shkuar në Shtime për t’i takuar banorët dhe për të biseduar me ta. Por historia mori një kthesë emocionale sot, kur gjatë lëvizjes së tij me veturë, mes njerëzve që po i afroheshin për fotografi, një vajzë e re iu afrua dhe i kërkoi të fotografoheshin së bashku,shrkaun Gazeta 10.

“Sapo u afrua, më tha se ishim takuar më parë dhe se ajo ishte vajza që më kishte dhënë zarfin para dy vitesh. I thashë menjëherë se sa shumë e kisha çmuar atë shënim dhe se isha shtangur nga fjalët e saj. I tregova se historinë e saj e kam ndarë me shumë njerëz në botë dhe i kërkova emrin, sepse atëherë nuk e dija”, rrëfeu Walker.

Sipas tij, momenti ishte tejet emocional për të dyja palët.

“Ishte një copëz e mrekullueshme komunikimi me të dhe me familjen e saj. Nuk e di nëse e kam merituar atë falënderim, por me të vërtetë e çmoj thellësisht”, përfundoi Walker.