Lajme

William Walker: Albin Kurti di më shumë për Donald Trumpin sesa unë

01/17/2024 23:58
nga:Sh R

Ambasadori William Walker në emisionin “ZEN” të T7, të mërkurën ka folur edhe për kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin.

Walker e përshkruan Kurtin si një person që “duket shumë i ngurtë”, teksa e shikoi fotografinë e Kurtit. Thotë se atë e kishte njohur para 26 viteve.

Teksa e përshkruan Kurtin, Walker thotë se Kurti dinë për ish-presidentin amerikan Donald Trump më shumë sesa ai.

“Shikojeni foton! Albini duket shumë i ngurtë dhe i kam kryqëzuar krahët sikur jam këtu. Sapo pata një takim me të për një orë e gjysmë. Albinin e njoh që 26 vjet. E kam takuar kur ishte me Adem Demaçin, kur erdha këtu në fillim të vitit… e takova brenda dy-tre javëve të para kur isha në Kosovë. Kur kam ardhur në Kosovë, gjithmonë kam dashur ta shoh atë”.

“E kam parë shpesh! Një vit më parë e pashë në Uashington. Albini është i kthjellët, në bisedën që sapo bëmë, folëm për politikën amerikane, gjë që është interesante. Ai di më shumë për Donald Trump sesa unë. E unë di goxha shumë për Donald Trump. Folëm edhe për situatën këtu dhe, përsëri, ai di pa dyshim shumë më tepër se çfarë po ndodh këtu, se çfarë po ndodh në Evropë, në NATO. Ai është jashtëzakonisht i informuar dhe mendimin ta thotë në mënyrë shumë të artikuluar. Dhe unë rrallëherë nuk kam rënë dakord me atë që më ka thënë ose rrallëherë kam qenë kritik ndaj asaj që ai ka bërë si kryeministër. Në fakt, nuk e mbaj mend një gjë të tillë. Kur njerëzit më thërrisnin e më thoshin se Shtetet e Bashkuara ose BE-ja po e kritikojnë kryeministrin e Kosovës se e ka bërë këtë ose atë punë, gjithnjë kam qenë totalisht i shokuar, sepse sipas mendimit tim ai po bënte punë shumë të mirë”, ka thënë ai.