Sporti

West Ham i dha lamtumirën dje legjendës, Mark Noble – ky ishte fjalimi emocionues i anglezit

05/16/2022 09:48
nga:E K

Mark Noble, kapiteni 35-vjeçar i West Ham, luajti dje ndeshjen e fundit në shtëpi në stadiumin e Londrës.

Pas 18 vitesh në të njëjtin klub, Noble do të pensionohet në fund të këtij sezoni, pra në ndeshjen jashtë fushe kundër Brighton, përcjell GazetaBlic Sport.

Para kësaj, ai u tha lamtumirë tifozëve të tij në xhiron e 37-të të Premier League, në të cilën West Ham luajti 2:2 me Manchester City.

Tifozët përgatitën një koreografi për nder të tij para ndeshjes. Ai hyri në lojë në minutën e 77’të duke zëvendësuar Manuel Lanzinin, pas së cilës mori shiritin e kapitenit nga Declan Rice.

Publiku e ndoqi momentin me duartrokitje të mëdha dhe ai u filmua në stolin e West Hamit me lot në sy. Ai ka dalë me familjen para fansave dhe ka mbajtur një fjalim. Në një nga pankartat kushtuar atij shkruhej: “Ai është West Ham”. Ndërsa në një lloj podiumi qëndronte: “Zoti West Ham”.

“Shpresoj se ju kam bërë krenar gjatë 18 viteve. Unë kam një familje të madhe me mua sot këtu. Dhe kur them e madhe, dua të them 60,000 anëtarë,” tha Noble, i cili u filmua në një përqafim të gjatë me trajnerin e Cityt, Pep. Guardiola.