Sporti

“Wembley” pret finalen e Euro 2028

11/13/2025 14:48
nga:Mergim Rreci

Tempulli i futbollit, “Wembley”, do të jetë dëshmitar i kampionit të ri të Europës.

Impianti modern është zgjedhur nga UEFA për të organizuar finalen e Europianit të vitit 2028. Një ndeshje që do të luhet më 9 korrik të atij viti, teksa stadiumi i Cardiffit do të ngrejë siparin e Kampionatit Europian 2028 më 9 qershor.

Turneu do të përfshijë 51 ndeshje me pjesëmarrjen e 24 kombëtareve, i cili do të zhvillohet në nëntë stadiume në tetë qytete të Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës. Përveç Londrës dhe Cardiffit, qytetet pritëse do të jenë Birmingham, Dublin, Glasgou, Liverpool, Manchester dhe Newcastle.

Eventi zyrtar i lançimit u mbajt në Londrën qendrore, ku mori pjesë edhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin. Megjithatë, ceremonia nuk kaloi pa tensione: jashtë saj u zhvillua një protestë e vogël, ku mori pjesë policia, në shenjë pakënaqësie ndaj përfshirjes së Izraelit në aktivitetet e organizuara nga UEFA. Sipas një studimi të pavarur, Kampionati Europian 2028 pritet të gjenerojë 3.6 miliardë paund (rreth 4.83 miliardë dollarë) në përfitime socio-ekonomike për Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën gjatë periudhës 2028–2031.

Në maj, UEFA kishte konfirmuar se Anglia, Irlanda, Skocia dhe Uellsi do të marrin pjesë në kualifikueset për Euro 2028, me dy vende të garantuara për organizatorët në rast se nuk arrijnë kualifikimin përmes fazës eliminatore.

Ndërkohë, Belfasti është zgjedhur si qyteti ku do të mbahet shorti kualifikues i Euro 2028, që do të zhvillohet më 6 dhjetor 2026 në kryeqytetin e Irlandës së Veriut.