Lajme

Weber për largimin Borell e Lajçak nga bisedimet: Krijohet vakum i rrezikshëm

01/30/2024 00:26
nga:Gazeta Blic

Pavarësisht se negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shpallur të suksesshme, iniciativa franko-gjermane ka dështuar, vlerëson eksperti ballkanik Bodo Weber.

Ai thekson se Perëndimi është i bllokuar në simbiozën me regjimin e Aleksandër Vuçiqit, dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk ka forcë për një ndryshim të vendosur ndaj regjimit në Serbi.

“Zyrtarët e Bashkimit Evropian, për mendimin tim, e dinë këtë (që iniciativa dështoi), por nuk do ta pranojnë”, tha ai.

Weber tha se nuk sheh ndonjë mesazh të veçantë nga vizita e përfaqësuesit special të BE-së Miroslav Lajçak në Beograd, e më pas në Prishtinë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin me Lajçakun ka theksuar se Serbia është gjithmonë e gatshme për dialog, të respektojë gjithçka që është nënshkruar dhe dakorduar.

“Kjo është vazhdimësi e simulimit të negociatave për zbatimin e marrëveshjes nga Brukseli dhe Ohri”, tha Weber.

Eksperti gjerman duke folur për zgjedhjet në BE ka thënë se kanë mbetur edhe pak muaj deri në verë për largimin e Komisionit aktual dhe largimin e mundshëm të negociatorëve kryesorë Lajçak dhe Borell.

“Atëherë do të krijohet një vakum i rrezikshëm”, tha ai për N1.

Duke folur për Banjskën, Weber thekson se Perëndimi në një farë mënyre insiston në një hetim nga Serbia për atë se cili ishte sfondi më i gjerë, por që, siç vlerëson ai, duket se është më shumë një simulim dhe se Perëndimi “bëhet sikur pret rezultatet”.

“Sepse Perëndimi e di shumë mirë se burimet e Banjskës çojnë në nivelet më të larta në Serbi”, thotë Weber.

Sipas tij, mosreagimi për Banjskën, është një lloj dritë jeshile për ngjarjet paszgjedhore në Serbi.