Lajme

Weber: Lajçaku i kotë, pa Bidenin e Scholzin

07/29/2022 21:04
nga:Astrit Gashi

Miroslav Lajçak do të mbajë edhe për dy vite tjera postin e të Dërguarit të Posaçëm evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Vazhdimin e mandatit deri më 31 gusht 2024 të diplomatit sllovak e pajtuan 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Lajçak ka deklaruar se për 24 muajt e ardhshëm mundësitë janë reale që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Mbi këtë ka folur për Klan Kosova Bodo Weber nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit me bazë në Berlin të Gjermanisë.

“Nëse e gjithë politika BE-ShBA bie në nivelin e përfaqësuesve të posaçëm, siç është Lajçak, kjo përfundimisht nuk do të jetë e mjaftueshme për të që paralajmërimi i bërë po nga ana e tij të bëhet realitet”.

“Kancelari gjerman me vizitën e tij kohëve të fundit që e kishte në Prishtinë dhe Beograd ka treguar se do që të ketë rol më aktiv në proces. Por kjo është shumë larg nga nisma e marrjes së lidershipit. Kjo mund të jetë e suksesshme vetëm nëse vjen nga kancelari Olaf Scholz dhe presidenti Joe Biden”, shtoi Weber që është një nga studiuesit kryesor gjermanë për zhvillimet e dialogut.