Politologu dhe njohësi i Ballkanit, Bodo Weber, konsideron se propozimi i ri franko-gjerman është në fakt një marrëveshje e përkohshme, pas fazës së krizës dhe ngërçit në të cilën ka rënë dialogu në pesë vjetët e fundit dhe se synimi është që fokusi nga disa çështje më të ulëta dypalëshe të kthehet në dialog, në çështjet thelbësore, që është mosmarrëveshja mbi statusin.
Gjithashtu, problemi është se publiku nuk ka pasur qasje në gjithë propozimin e marrëveshjes dhe nuk është e qartë nëse dy palët kanë pasur të njëjtin version të dokumentit përpara tyre.
I pyetur për të komentuar mbi “non-paperin” e ri të publikuar nga “Albanian Post”, ku thuhet se Kosova dhe Serbia do të kenë pasoja nëse nuk e pranojnë planin franko-gjerman, ai thotë se për këtë do të ishte i kujdesshëm, sepse ajo media edhe më parë ka publikuar “dokumente ekskluzive” të cilat më vonë rezultuan se nuk janë të vërteta.
Duke iu referuar deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Serbisë i kërcënohet me sanksione nëse nuk pajtohet me marrëveshjen, ai thekson se mendon se do të ketë pasoja të caktuara, siç njoftuan zyrtarë të ndryshëm evropianë, edhe atë në formë të shkurtimit të ndihmës ekonomike.
I pyetur të komentojë vlerësimet e disa analistëve se Serbia dhe Kosova nuk kanë motiv ta nënshkruajnë marrëveshjen, sepse për ta nuk ka as “shkop as karotë”, ai nuk pajtohet me këtë.
“Ka një shkop të caktuar në kuptimin që me fillimin e luftës në Ukrainë, ai nivel i shikimit nëpër gishta ndaj Serbisë për shkak të politikës së uljes në dy karrige nuk ka më tolerancë të tillë dhe nëse do të ketë dështim të kësaj iniciative, sigurisht që do të ketë efekt, a do të çon në ndërprerje të negociatave të para-anëtarësimit, siç ka kërkuar vazhdimisht Parlamenti Evropian, duhet të shihet”, ka thënë Weber.
Ai ka shtuar se sa i përket karotave, “sigurisht që kjo është një pjesë e rritjes së mbështetjes ekonomike për Serbinë dhe Kosovën”.
I pyetur se në çfarë faze janë negociatat, ai thotë se “meqenëse gjithçka po zhvillohet me dyer të mbyllura, edhe kjo nuk është e qartë, por kur shikon deklaratat e zyrtarëve evropianë… ke përshtypjen se vetëm ka mbetur që Kosova dhe Serbia ta nënshkruajnë marrëveshjen”.
Megjithatë, ai vlerëson se nuk është e qartë nëse pjesëmarrësit kishin para vetes të njëjtin version të dokumentit.
“I dërguari i posaçëm i BE-së Miroslav Lajçak ka përmendur marrëveshjen 11-pikëshe gjatë vizitës së tij të papritur në Kosovë, ndërsa Kurti foli për marrëveshjen 10-pikëshe vetëm një apo dy ditë më vonë. “Me sa duket askush nuk e ka të qartë se cili version po negociohet”, konstaton ai.
Por ai tregon se vetë fshehtësia nuk ka pse të kontestohet në negociata kaq të ndjeshme, porse është pikëpyetje nëse marrëveshja në thelb do të çojë deri te qëllimi përfundimtar.
Ai thekson se gjithsesi elementi kyç i marrëveshjes përfundimtare dhe përfundimi i gjithë dialogut është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, përcjell Paparaci.
Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në OKB, ai thotë se kjo është më shumë “pjesë ideologjike, një pikë e shtrembëruar”.
“Edhe nëse Serbia do të pajtohej me marrëveshjen përfundimtare dhe njohjen e Kosovës, Kosova me siguri do të marrë gjithçka, përveç anëtarësimit në OKB, edhe nëse mbështetet nga Serbia, Rusia sigurisht që nuk do të pajtohet”, vlerëson ai.
Në pyetje nëse ka ndonjë opsion për mos formimin e Asociacionit, të cilën Kurti e refuzon, ai thotë se edhe kjo është një pikë krejtësisht e paqartë në këtë propozim franko-gjerman.
“A është Asociacioni parakusht për nënshkrimin e marrëveshjes apo është pjesë e pakos së marrëveshjes së re, kemi deklarata kontradiktore. Problemi me Asociacionin është se është një temë për të cilën dialogu ka ngecur tashmë shtatë vjet”, pretendon ai dhe thotë se nëse Asociacioni do të ketë pushtet ekzekutiv apo jo, nuk mund të zgjidhet pa një përcaktim të qartë nga negociatorët perëndimorë.
I pyetur se kush është më konstruktiv – Vuçiqi apo Kurti – Weber thotë se nga vizita e fundit e të “pesëshes” në Beograd dhe Prishtinë duket se në Perëndim kanë vendosur se problemi është në Prishtinë e jo në Beograd.
“Dhe duket se ky është rezultat i qasjes taktike të Beogradit, se Beogradi pretendon të jetë konceptual për shkak të disa llogaritjeve se negociatat do të dështojnë dhe pastaj që Prishtina të fajësohet për këtë”.


