Fundjava sjell supersfidën Milan-Juventus, një klasike në Serie A. Kuqezinjtë kryesues presin skuadrën e Max Allegrit në “San Siro”, duel i programuar për datën 22 tetor.
Thimout Weah, një nga përforcimet e Juves në merkato, foli rreth këtij dueli, u ndal tek trajneri nga Livorno, për të cilin ka edhe një kërkesë në lidhje me pozicionin e tij në fushë.
“Ndeshja kundër Milanit do të jetë një ndeshje vërtet speciale, mezi po e pres. Natyrisht, babai im ka një të kaluar të rëndësishme te kuqezinjtë, kështu që kjo ndeshje ka një kuptim të veçantë për familjen time.
Do të jetë interesante të sfidoj dy bashkëlojtarë të kombëtares amerikane si Pulisic dhe Musah”, shprehet djali i George Weah, ish-sulmuesit të Milanit.
Më pas një koment për trajnerin e Juves: “Allegri? Disa e konsiderojnë atë si një trajner mbrojtës, por mendoj se kjo është një gjë e mirë.
Sepse mendoj se aspekti mbrojtës është thelbësor për suksesin e një ekipi. Nëse do të ishte në dorën time, do të preferoja të luaja në krahun e majtë. Me mundësinë për të finalizuar aksionet duke u future nga qendra”, theksoi 23-vjeçari.


