Lajme

Kosovarët të ‘zhytyr’ në kredi, mbi 5 miliardë euro vetëm deri në nëntor 2024

01/01/2025 22:13
nga:Mergim Rreci

Kreditë bankare vazhdojnë të shihen si “zgjidhja” e vetme për qytetarët e Kosovës.

Në Kosovë është bërë thuajse e pamundur të sigurosh banim, veturë, apo edhe gjëra nga më elementaret me para të gatshme nga paga që marrin apo nga bizneset qe posedojnë qytetarët.

Numër i madh i qytetarëve detyrohen që të hyjnë në kredi, në mënyrë që të sigurojnë një banim për vete apo për gjithë familjen.

Ngjashëm po ndodhë çdo vit, e të “frikshme” janë shifrat e kredive që kanë kosovarët në bankat komerciale në vendin tonë.

Vlera e kredive të qytetarëve nëpër bankat komerciale po del të jetë i lartë krahasuar me një vit më parë.

Nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), kanë thënë se numri i përgjithshëm i kredi marrësve është 86 mijë e 198 deri në qershor, mbi 6 mijë më shumë se vitin e kaluar në po këtë periudhë.

Përgjatë dy viteve të fundit nuk duket të ketë pasur ulje të “kënaqshme”, të kamatës në asnjërën prej bankave komerciale, pasi edhe ankesat e qytetarëve janë të larta të cilët thonë se detyrohen të paguajnë më tepër se sa është norma e caktuar.

Nga BQK-ja kanë thënë se shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar në njëmbëdhjetë mujorin parë të këtij viti është 5.668 miliardë euro.

Sipas BQK-së norma mesatare e interesit për kreditë e reja në muajin qershor 2024 përllogaritet 6.12 për qind, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishte 6.50 për qind.

Derisa një përllogaritje tjetër është bërë përgjatë 11-të muajve të këtij viti, ku nga BQK-ja, kanë thënë se norma mesatare e interesit në kredi në sektorin bankar në nëntor 2024 ishte 6.02%, ndërsa në dhjetor 2023 kjo normë ishte 6.35%.

“Norma mesatare e interesit në kredi në sektorin bankar në nëntor 2024 ishte 6.02%, ndërsa në dhjetor 2023 kjo normë ishte 6.35%. Norma mesatare e interesit në depozita në sektorin bankar në nëntor 2024 ishte 2.87%”, kanë thënë nga BQK.

“Bazuar në të dhënat e gjeneruara nga sistemi i Regjistrit të Kredive, numri i kredimarrësve ekzistues për gjashtëmujorin e parë 2023 dhe gjashtëmujorin e parë 2024 figuron si më poshtë: 01.01.2023 deri 30.06.2023 ishin 79,816 kredimarrës. Ndërsa në periudhën 01.01.2024 deri 30.06.2024 janë 86,198 kredimarrës. Përqindja e rritjes është 7.99% krahasuar me vitin e kaluar. Kreditë Bruto në fund të muajit qershor kanë arritur vlerën prej 5.35 miliardë euro. Norma mesatare e interesit në kreditë e reja për muajin qershor 2024 është 6.12%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi rënie pasi që në qershor 2023 ka qenë 6.50%”, thonë nga BQK.

Në lidhje me çështjen e kredive të qytetarëve, nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), kanë thënë se numri numri i personave fizik (rezident dhe jo rezident), të cilët kanë kredi aktive është 365 mijë e 340.

Rritja e kredive ka bërë që edhe depozitat të arrijnë vlerën prej 6.586 miliardë euro, duke shënuar rritje për 448.5 milionë euro, ose 7.3% krahasuar me dhjetorin e vitit 2023.

Shqetësuese mbetet edhe hyrja e lartë e kredimarrësve për herë të parë gjatë këtij viti.

Nga BQK për lajmi.net kanë thënë se vetëm gjatë këtij viti 39 mijë qytetarë kanë marrë kredi për herë të parë.

“Gjatë vitit të fundit në bazë të kalkulimeve 39,071 persona fizik (rezident dhe jo-rezident) kanë marrë kredi për herë të parë”, kanë thënë nga BQK.

Një shifër “marramendëse” mbetet edhe shuma totale e kredive aktive të personave fizik (rezident e jo rezident).

Kjo duket të jetë evidentete pasi bankat komerciale shihen të mos jenë aspak fleksibile, kështu duke qenë arbitrare ndaj bizneseve dhe qytetarëve.

“Shuma totale e kredive aktive për persona fizik (rezident dhe jo-rezident) është 3,842,363,046.91 (Tre miliardë, tetëqind e dyzet e dy milionë, treqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e dyzet e gjashtë euro dhe nëntëdhjetë e një cent”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Shifra prej 3 miliardë euro është e caktuar vetëm për periudhën deri në qershor, pasi deri në muajin nëntor vërehet një ndryshim i madh i këtyre kredive.

Ndryshe guvernatori i BQK-së, bëri të ditur se rritje të dukshme kanë shënuar kreditë, të cilat janë rritur 5.7 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Gjithsej, kreditë në nëntor 2024 kanë arritur në 5.668 miliarda euro, duke regjistruar një rritje prej 768.9 milionë euro në krahasim me dhjetorin e vitit 2023.

“Gjithsej, kreditë në nëntor 2024 kanë arritur shumën prej 5.668 miliarda euro, duke shënuar një rritje prej 768.9 milionë euro ose 15.7% krahasuar me dhjetorin e vitit 2023. Ndërsa, depozitat vazhdojnë të jenë burimi kryesor i financimit të kredive. Gjithsej, depozitat në nëntor të këtij viti kanë arritur në 6.586 miliarda euro, duke shënuar një rritje prej 448.5 milionë euro ose 7.3% krahasuar me dhjetorin e vitit 2023. Kjo rritje i atribuohet rritjes së normave të interesit në depozita dhe konkurrencës më intensive midis bankave për tërheqjen e depozitueseve,” tha ai.

Ndërkaq të pyetur se sa është numri i bankave komerciale të cilat gjenden në Kosovë nga BQK, thanë se në të gjithë territorin e Kosovës operojnë 11 banka komerciale.

“Në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës operojnë 11 banka komerciale”, kanë thënë ata.

Bankat komerciale shihet të kenë fitim të pastër në vend pasi nga janari deri në maj të këtij viti përfitimi ishte rreth 73.6 milionë euro.

Kurse, profiti i institucioneve mikrofinanciare dhe financiare jo bankare ishte 8.2 milionë euro gjatë kësaj periudhe, me një normë interesi në kredi 19 për qind.

Qytetarët këtë vit u detyruan që të marrin kredi edhe si shkak i çmimeve të larta të produkteve bazike, gjë e cila mbetet shqetësuese pasi edhe pse inflacioni ka shënuar rënie ndër vite nuk i ka ndihmuar qytetarët në këtë aspekt. Anipse në maj të këtij viti inflacioni kishte rënë edhe për 3 përqind, por çmimet kishin shënuar rritje.