Sporti

Dudek ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’: Liverpool triumfon ndaj Milan, formati i ri i Ligës së Kampionëve më atraktiv

09/17/2024 12:02
nga:Mergim Rreci

Emocionet e Ligës së Kampionëve rikthehen përsëri sonte dhe atë në mënyrën më të mirë.

Edicioni 2024/2025 fillon zyrtarisht mbrëmjen e sotme, me disa super ndeshje që do të luhen në kompeticionin e kampionëve.

Kryendeshja do të zhvillohet në Itali, atje ku Milani dhe Liverpool do të përballen në ‘San Siro’. Përballjet mes dy skuadrave kanë qenë gjithmonë spektakolare, duke dhuruar shumë gola e spektakël, madje edhe histori të jashtëzakonshme.

Bota e futbollit nuk do të harrojë asnjëherë dy finalet anglezo-italiane të luajtura në 2005 dhe 2007, në veçanti finalen e ‘çmendur’ të Stambollit, që është ndoshta finalja më e mirë e zhvilluar ndonjëherë në këtë kompeticion.

Milani dhe Liverpool kishin zbritur në tokën turke për trofeun më të madh evropian, por pa e ditur se do të jenë pjesë e përheshme e historisë të futbollit, duke prodhuar një ndeshje për infarkt.

Italianët kryesonin pas pjesës së parë me rezultatin 3-0, por në të dytën ndodhi “mrekullia”, Liverpool barazoi gjithçka duke e dërguar ndeshjen në shtesë dhe më pas në penallti ku dhe arritën fitore.

Dy vite më pas, ndodhi hakmarrja e madhe, me ‘Rossonerët’ që ishin të vendosur për fitore dhe kjo gjë pikërisht ndodhi. Me dy golat e Pipo Inzaghit, Milani e mposhti Liverpoolin në Athinë, duke triumfuar me shifrat 2 me 1 dhe duke e kthyer lavdinë e Championsit në Itali.

Në një prononcim ekskluziv për ‘GazetaBlic Sport’, heroi i finales së Stambollit, Jerzy Dudek, është prononcuar para ndeshjes së sotme, ku tha se zemra e tij është gjithmonë me skuadrën e Liverpool, skuadër e cila mendon e do ta fitojë ndeshjen.

Zemra ime është gjithmonë për Liverpool-in, mendoj se ndeshja e fundit në shtëpi erdhi në kohën e duhur për ‘The Reds’, pasi pauza ndërkombëtare është e vështirë për disa nga lojtarët që të jenë gati menjëherë (udhëtimi, diferenca kohore etj.) Unë mendoj se Liverpool është në pozitë të mirë për të fituar ndaj Milanit, por nuk do të jetë e lehtë”, tha fillimisht Dudek.

Liga e Kampionëve ka ndryshuar format nga ky edicion dhe sipas Jerzy Dudek, kjo gjë pritet ta bëjë edhe më interesante këtë garë, duke sjellur edhe më shumë rivalitet, më shumë interes nga tifozët dhe më shumë para.

E reja është gjithmonë e paparashikueshme, por është shumë më interesante për të gjithë, më shumë solidaritet mes klubeve të mëdha. Shumë skuadra të mira do të shkojnë për të luajtur si mysafir ndaj skuadrave mesatare… kjo është e mirë për tifozët. Nuk ka ndeshje për asgjë, çdo lojë është e rëndësishme, 8 ndeshje për t’u luajtur do të thotë më shumë para për të gjithë, gjithashtu pjesa e dytë e këtij edicioni do të jetë shumë interesante, me ndeshje shumë të forta për t’u luajtur. Mezi po pres të shoh gjëra pozitive nga formati i ri“, përfundoi ish portieri Dudek.

/GazetaBlic Sport/