Vazhdon edhe më tutje të diskutohet në opinionin politik kosovar “vonesa” e paraqitjes së kandidatëve për kryetarë komunash nga partia që akualisht është në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Afati i fundit është deri të hënën e 16 Gushtit, teksa Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka kompletuar emrat që do ta përfaqësojnë këtë parti në zgjedhjet lokale të 17 Tetorit.
Lidhur me këtë, GazetaBlic ka kontaktuar me drejtuesin e zyrës për media të Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, i cili ka thënë se VV-ja nuk është vonë, pasi sipas datave kanë mbetur edhe tri ditë, teksa ai shtoi se partia po respekton procedurat dhe kodet e brendshme për t’i finalizuar emrat.
“Ne jemi duke zhvilluar procedurat tona të përzgjedhjes së kandidatëve për kyetarë komunash ashtu siç e parashohin dokumentet tona të organizates dhe njëkohësisht jemi përbrenda afateve e dinamikës së paraparë edhe nga KQZ. Meqenëse jemi brenda afatit i bie që jemi në kohë dhe nuk jemi vonuar. Gjithçka do të jetë gati përbrenda kohës”, tha Manxhuka për GazetaBlic.
Në anën tjetër, analisti Visar Ymeri beson se vonesa ka ardhur si pasojë e një taktike të kryeministrit Kurti. Sipas Ymerit, Kurti po i lë degët që t’i zgjedhin vet pakënaqësitë, e që nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, në fund të hyjë ai në formë shpëtimi.
“Arsyeja më e fuqishme për këtë vonesë besoj që janë mospajtimet e brendshme për kandidatët. Rritja e madhe elektorale e VV-së i shton tejmase ambiciet personale në nivel lokal. Në situata të tilla krijohet përshtypja që secili mund të dal fitues. Shtoja kësaj pastaj një ndjesi të qenit të lënë anash nga një pjesë e LVV-së, veçanërisht e aktivistëve me përvojë më të gjatë në Lëvizje të cilët nuk janë bërë pjesë e nivelit qendror.
Ky grup e shohin promovimin në nivel lokal si shansin e fundit. Edhe pse vonesa ndërlidhet drejtpërdrejt me pakënaqësitë e brendshme, mendoj se ka një dozë të lojës strategjike nga vet Kryetari i LVV-së, Kryeministri Kurti. Ai po i lë Qendrat (Degët) t’i zgjidhin këto mospajtime vet deri në momentin e fundit që pastaj intervenimi i tij të shihet si shpëtim e jo imponim”, tha Ymeri për GazetaBlic.
Kujtojmë ndërkaq se partitë e tjera tashmë i kanë konfirmuar më shumë se 90% të kandidaturave për secilën prej komunave.
/GazetaBlic/