Çështja e dinarit po vazhdon të diskutohet në Bruksel, derisa do të ketë ende takime pasi s’ka pasur marrëveshje.
Lidhur me këto diskutime, deputeti i VV-së, Eman Rrahmani, thotë se po pritet të shihet çfarë do të ndodhë.
“Sa i përket çështjes së dinarit po presim se çka po ndodhë, negociatat”, thotë ai për Gazeta Blic.
Se a është dashur të diskutohet kjo çështje në Bruksel, Rrahmani vlerëson se çdo çështje në interes të Kosovës duhet të diskutohet e sqarohet me miqtë.
“Çdo gjë që është në interes të Kosovës duhet të diskutohet dhe duhet të sqarohet edhe me miqtë edhe secilin për të mirën e Kosovës, por duhet të kemi kujdes çka edhe qysh diskutohet”, vlerëson deputeti i VV-së për Gazeta Blic.
Se nuk po diskutohet vendimi thotë deputeti tjetër i VV-së, Agon Batusha.
“Ajo që duhet ta sqarojmë është se nuk po diskutohet rregullorja e BQK-së sepse ajo është vendim i pavarur i BQK-së, si institucion i pavarur konform Kushtetutës së Republikës dhe në atë rregullore nuk specifikohet dinari por ajo rregullore tregon që e vetmja monedhë që duhet të qarkullojë në Kosovë është euro. Normal që qytetarët tanë serbë i marrin pagesat pensionet apo shtesat apo ndihmat sociale edhe nga Serbia, që deri tani i ka dhënë në formën e cash-it dhe në dinarë. Kjo është ajo që këta qytetarë, në mungesë të një marrëveshje mes BQK-së dhe bankës qendrore të Serbisë, të cilat janë marrëveshje normale mes bankave homologe por për çështje politike të presionit të brendshëm në Serbi, banka qendrore e Serbisë ka refuzuar BQK-nëpër një marrëveshje dhe kjo i ka shkaktuar të gjitha këto telashe, sepse duhet të ketë një dakordancë se si mund të bëhen ato pagesa përmes bankave komerciale të Kosovës, ku ato para që vijnë në formë dinari duhet të konvertohen në euro për qytetarët serbë dhe kjo është ajo që po diskutohet, si të gjendet një modalitet përderisa nuk ka një marrëveshje dhe natyrisht që dinari dhe të gjitha monedhat tjera që nuk janë euro janë të ndaluara në Kosovë për t’u përdorur në mënyrë zyrtare, natyrisht janë rregulla të tjera të cilat aplikohen për mënyrat jo euro që duhet natyrisht në bankat komerciale dhe që kontrollohen nga rregullorja e BQK-së”, vlerëson Batusha për Gazeta Blic.
Ndryshe mendojnë deputetët e opozitës.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, thotë për Gazeta Blic se qeveria po bën shumëçka që ka thënë se nuk e bën, derisa ka kritika për mënyrën e trajtimit të çështjeve.
“Qeveria ka thënë shumëçka në kundërshtim me atë që është duke vepruar, s’po flasim më për premtimet sepse ato janë harruar dhe kanë kaluar në një nivel tjetër, por komplikimet në procesin e dialogut dhe të strategjisë së brendshme për integrim të komunitetit serb dallojnë shumë nga atë që e thotë Qeveria, por kritika jonë shkon për mënyrën e trajtimit, qoftë për dinarin, qoftë për targat dhe mos gatishmëria që të ketë zgjidhje në partneritet me ata të cilët e kanë mbështetur Kosovën në rrugën e saj për liri dhe pavarësi dhe prapë bie në atë nivelin ku ne duhet të japim koncesione të cilat vazhdimisht janë të dëmshme për Republikën e Kosovës”, vlerëson Zemaj.
Ndërsa, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, vlerëson për Gazeta Blic se vendimi për dinarin është marrë nga militantë politikë të Kurtit që i ka dërguar në BQK dhe vendimi është më shumë i tij dhe këtë e quan lojë të rrezikshme.
“E para që duhet të evidentohet te çështja e dinarit është që nga viti 2002 në Kosovë valutë zyrtare dhe me ligj e Kushtetutë është euro, dinari s’ka qenë asnjëherë valutë zyrtare. E dyta, vendimi i BQK-së është vendim i militantëve politikë që z.Kurti i ka dërguar në BQK dhe mund të themi se më shumë është vendim i Kurtit se i BQK-së dhe unë e kam potencuar se është një lojë e rrezikshme që do të dërgojë në legalizim të dinarit në pjesën e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe diskutimet në Bruksel po bëhen për këtë”, thekson ai.
Deputeti kritikon qeverinë për mos transparencë në dialog, derisa zotoheshin se kurrë s’do të diskutonin për dinarin në Bruksel e po e bëjnë çdo javë.
“Duhet të ketë një transparencë sa i përket diskutimeve në dialog jo vetëm për dinarin por edhe çështje tjera sepse kemi parë që 3 vite një mbyllje totale, jotransparencë në procesin e dialogut i cili ka përfunduar me marrëveshjen e Ohrit, vendime të cilat janë antikushtetuese dhe të cilat cenojnë integritetin dhe sovranitetin e vendit dhe krijojnë një pushtet të ri edhe për Zajednicën por edhe për Kishën Ortodokse Serbe një autonomi të veçantë në Kosovë. Ka pasur dhe ka mungesë të transparencës. Ata që zotoheshin që s’do të diskutonin kurrë për dinarin në Bruksel, tani po janë çdo javë në Bruksel për çështjen e njëjtë”, deklaron deputeti Bekim Haxhiu./Gazeta Blic/