Lajme

“VV ta marrë seriozisht mesazhin e SHBA-ve, të krijohen sa më parë institucionet e reja”

07/30/2025 22:30
nga:G B

Analistja Magbule Shkodra, ka komentuar deklaratën e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, se mos konstituimi i Kuvendit rrezikon integritetin e institucioneve të Kosovës.

Ajo në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se kjo tregon për ndikimin që do ta ketë Kosova në ecjen përpara si shtet.

“Deklarimi i SHBA-ve për gjendjen në Kosovë tregon për seriozitetin e situatës. Ambasada amerikane e thekson edhe njëherë qartë se mos konstituimi i Kuvendit do të ndikojë shumë në rrugën në të cilën duhet të ecë përpara”, ka thënë ajo.

Shkodra përmend cekjen e 8 gushtit si datë që të konstituohet Kuvendit, e përmendur nga ambasada.

“Më bie në sy që ceket që deri më 8 gusht pritet që të konstituohet Kuvendi por ne jemi në pritje të një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese që do ta qartësonte këtë situatë dhe kjo më bën të kuptoj që edhe sipas personave që kanë njohuri kushtetuese, pritet që mund të jetë që vendimi i Kushtetueses të japë afat për konstituimin e Kuvendit pasi që konsiderohet prej momentit kur Avni Dehari ka devijuar nga rendi i ditës dhe afati kushtetues 30 ditor është ndalur”, është shprehur analistja për Gazeta Blic.

Ajo shpreson që kjo deklaratë të merret seriozisht nga VV dhe sa më parë të krijohen institucionet e reja.

“Shpresoj që deklarata e ambasadës amerikane të merret shumë seriozisht nga partia e parë, LVV dhe vendimi i Kushtetueses të lexohet drejt dhe shpresoj që sa më parë të kemi konstituim të Kuvendit dhe formim të të gjitha institucioneve të Kosovës”, ka deklaruar Magbule Shkodra./Gazeta Blic/

Arifi: Çfarëdo vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e pamundëson zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryetare të Kuvendit, do të sfidohet nga VV