Lajme

“VV s’i fiton më kurrë 50 %”/ Batusha i përgjigjet opozitës: Tentuan të na zhdukin, vendi i parë dihet – janë të humbur

01/15/2024 21:52
nga:G B

Partitë opozitarë sot kanë thënë se viti 2024 duhet të jetë vit zgjedhor dhe se Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i fitojë më kurrë 50 për qind të votave.

Po ashtu, opozita tha se qeveria e ardhshme do të formohet nga partitë opozitare.

Lidhur me këtë, deputeti i VV-së, Agon Batusha, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se dëshirat e opozitës kanë dështuar dhe se zgjedhjet duhet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm, por mund të ketë edhe në fund të këtij viti, nëse ka konsensus mes subjekteve politike.

“Opozita ka shumë dëshira të cilat tash ju kanë dështuar. E vërteta është që zgjedhjet e rregullta do duhej të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm. Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, presidentja konsultohet me subjektet politike dhe përcakton një datë të zgjedhjeve që mund të jetë 60 ditë para afatit përfundimtar. Nëse ndodh që për këtë të ketë konsensus mes subjekteve politike, atëherë do të ketë zgjedhje në fund të këtij viti. Por, natyrisht kjo nuk mund të bëhet pa pajtimin e subjektit më të madh në vend”, thotë ai.

Sa i përket deklaratave se VV nuk do t’i fitojë më 50 për qind, deputeti i kësaj partie thotë se atë e përcaktojnë qytetarët dhe se opozitës si ka mbetur asgjë vetëm edhe të thotë se nuk do t’i fitojë më ato vota si në zgjedhjet e fundit.

“Rezultatin e përcaktojnë qytetarët. Opozita e sotme, e pushteti i djeshëm ka tentuar të na zhduk si organizatë edhe përmes proceseve të montuara gjyqësore. Tani nuk iu ka mbetur gjë tjetër që t’iu thonë mbështetësve të tyre, përveç se LVV nuk do t’i marrë 50 % të votave. Atëherë cili është vendi i dytë dhe me sa për qind?! Sepse gara është aty, garën e kanë edhe për pragun zgjedhor. E si mund të flasin për vendin e parë, ku qysh tash e dinë që s’munden të jenë fitimtarët?” vlerëson Batusha për Gazeta Blic.

Ai e quan hipokrizi që opozita do zgjedhje, derisa e di që janë të humbur.

“Pra, opozita po tenton të ketë zgjedhje të reja, duke treguar qysh tash se janë të humbur. Kjo është hipokrizi”, deklaron Agon Batusha./Gazeta Blic/

Gashi: Ka filluar numërimi prapa, po i afrohemi fundit të kësaj qeverie

Tahiri: Viti 2024 është vit zgjedhor, Kurti kurrë më nuk do t’i marrë 50%