Lajme

VV që tash po kërkon shtyrje të zgjedhjeve, e kishte dërguar ish- presidentin Thaçi në Gjykatë Kushtetuese pikërisht për këtë çështje

09/11/2021 10:12
nga:Gazeta Blic

Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti e kishte dërguar në Gjykatë Kushtetuese ish- presidentin Thaçi, pas vendimit që kishte marrë ai për t’i shtyrë zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë, raporton Gazeta Blic.

Mirëpo, një vit pas, është pikërisht Lëvizja Vetëvendosje ajo që po kërkon shtyrje të zgjedhjeve.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca para pak ditësh kishte theksuar se po të pyetej ai, do të shtyheshin zgjedhjet, me qëllim ruajtjen e shëndetit publik.

S’ka shkuar shumë kohë dhe e para e vendit, Vjosa Osmani e ka dëgjuar këtë “këshillë” të Konjufcës dhe ka nisur procedurat për shtyrje të zgjedhjeve.

Por në qershorin e vitit të kaluar, kur Thaçi kishte shtyrë zgjedhjet me arsyetimin e ruajtjes së shëndetit publik, VV thoshte se ky nuk ishte arsyetim.

Lëvizja Vetëvendosje në qershor 2020 kishte njoftuar se ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimet e Presidentit, Hashim Thaçi për shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut.

“Sot, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve antikushtetuese të Presidentit të Republikës së Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Besianës dhe të Komunës së Mitrovicës së Veriut”, thuhet në njoftimin e LVV.

LVV ka thënë se justifikimet se zgjedhjet rrezikojnë shëndetin publik kanë rëne dje pas organizimit të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

“Dje u organizuan zgjedhjet e Serbisë në Kosovë dhe me këtë rast ky justifikim ka rënë poshtë plotësisht. Sepse si mund të shpjegohet që zgjedhjet e Serbisë mund të organizohen kurse ato të vetë komunave të Kosovës jo. Cila është porosia? Që ne kemi më pak të drejta? Që minoriteti serb nuk është përgjegjësi e qeverisë tonë sa i takon shëndetit publik? Cilado qoftë arsyeja është skandaloze dhe e papranueshme”, vazhdon njoftimi.

Tutje ata kanë shtuar se askush nuk ka autorizim që të iu pamundësoj qytetarëve zgjedhjen e përfaqësuesit të tyre, e aq më pak presidenti.

“Askush nuk ka të drejtë e autorizime, e aq më pak Presidenti që arbitrarisht dhe jashtë kompetencave të tij të pamundësojë ushtrimin dhe përmbushjen e këtyre të drejtave përmes shtyrjes pa afat të mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar të komunës”, thuhet tutje në komunikatë.