Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi, ka komentuar situatën politike aktuale në Kosovë, duke theksuar mosfunksionimin e komunikimit të partisë në pushtet, Vetëvendosje (VV), me partitë opozitare.
Arifi për GazetaBlic e ka cilësuar si problem të madh mosaftësinë e VV-së për të ndërtuar dialog me opozitën, duke shtuar se ky është një faktor që e komplikon formimin e qeverisë.
“Ajo që po dihet deri tani është mosaftësia e VV-së për komunikim me partitë opozitare. Pranimi që nuk mund ta bëjë qeverinë vet, nuk është diçka e re, por problemi është te mosaftësia për të komunikuar,” tha Arifi, duke theksuar se ky është një nga faktorët kryesorë që po ndikon në ngërçin politik aktual.
Ai gjithashtu u shpreh se opozita nuk duhet të ketë qëndrime të rrepta, por të përdorë një qasje më strategjike për të vendosur VV-në në një pozitë të vështirë dhe për t’i kërkuar përfshirjen në qeveri me kushtet e saj.
“Opozita nuk duhet të bënte vija të kuqe, por do të duhej ta fusnin në defanzivë VV-në dhe t’i kërkonin që ta bënte pjesë të qeverisë, por me kushtet e tyre. Kjo do ta fusnin në defanzivë VV-në, kjo do të duhej të ishte politika e opozitës,” theksoi Arifi.
Në fund, ai paralajmëroi se, në rast se VV-ja refuzon kushtet e opozitës për formimin e qeverisë, Kosova mund të përballet me zgjedhje të jashtëzakonshme.
Megjithatë, ai theksoi se këto kushte mund të krijojnë një problematikë të mëtejshme për VV-në, duke i vështirësuar fushatën dhe mundësinë për të fituar sërish besimin e qytetarëve.
“Nëse VV-ja do t’i refuzonte të gjitha këto kushte, atëherë është normale që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, por kushtet e opozitës për qeveri do ta fusnin VV-në në një problematikë edhe më të thellë gjatë zgjedhjeve,” përfundoi Arifi.
Bardh Ahmeti nga PSD ka kritikuar ashpër Albin Kurtin për përpjekjet e tij për të krijuar pasiguri dhe manipuluar situatën politike në Kosovë, raporton GazetaBlic.
Sipas Ahmetit, Kurti po qëndron i paparashikueshëm për të fajësuar të tjerët nëse qeveria e ardhshme nuk udhëhiqet nga ai.
“Qëllimi kryesor i Kurtit tani është krijoj pasiguri e parehati. Ai vetëdijshëm po qëndron i paparishikueshëm sepse kështu dëshiron të krijoj fajtor pse potencialisht qeveria e ardhshme e Kosovës nuk do të udhëhiqet nga ai,” tha Ahmeti.
Ai për GazetaBlic theksoi se, nëse opozita nuk bashkëpunon me Kurtin, mund të shkohet në zgjedhje të reja.
“Kanë mbetur vetëm edhe disa ditë deri në seancën konstituive të Kuvendit. Sigurisht, nëse opozita nuk bashkëpunon me Kurtin, njëra prej opsioneve janë zgjedhjet,” shtoi ai. Ahmeti theksoi se spektri politik duhet të bashkohet për të sfiduar pushtetin autoritar të Kurtit dhe Vetëvendosjes.
“Përballë një pushteti me tendenca autoritare, i gjithë spektri politik do të duhej të bashkohej që ta rrëzonte,” tha ai. Në përfundim, ai paralajmëroi për pasojat e mundshme nëse opozita dështon të bashkohet. “Mungesa e gadishmërisë së opozitës mund të prodhojë pasoja edhe më të rënda për vendin,” përfundoi Ahmeti.
Vesel Makolli, nga AKR, ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke theksuar se ky rezultat kërkon një qeveri koalicioni mes të paktën dy partive shqiptare.
“Nga 100 ulëse të parlamentit, 48 i ka fituar pozita, që do të thotë LVV me listën Guxo dhe Alternativa, ndërsa 52 ulëse i takojnë opozitës, me PDK-në 24, LDK-në 20 dhe AAK me NISMA 8,” tha Makolli.
Ai shtoi se LVV kishte planifikuar të fitonte zgjedhjet e vetme dhe të krijonte një qeveri të vetme, një model që, sipas tij, “në demokracinë perëndimore është i pashëndetshëm dhe nuk ndodh, pasi krijon mundësinë për kapjen e shtetit dhe kalimin në diktaturë”. Makolli kritikoi fushatën e LVV, duke thënë se përdorimi i etiketimeve pejorative dhe fyerjeve ndaj kundërshtarëve politikë u kthye “si një bumerang”.
Makolli për GazetaBlic shtoi se qeveria e re duhet të jetë “strikt bashkëpunuese me njohjen e Pavarësisë, SHBA-të dhe aleatët, për të arritur sa më shpejt marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, që do të hapte perspektivën e zhvillimit politik dhe ekonomik”.
Ai theksoi se një “qeveri gjithëpërfshirëse” do të ishte më e përshtatshme për situatën, duke përmirësuar marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtarë dhe ngritur rejtingun e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Brenga më e madhe pas zgjedhjeve është mosinteresimi i ambasadës së SHBA-së për të ndihmuar partitë parlamentare në formimin e qeverisë,” tha Makolli.
Ai përmendi gjithashtu se kryeministri në detyrë ka dhënë “sinjale se pozita është duke iu frikësuar marrjes së përgjegjësisë” për shkak të obligimeve ndërkombëtare që e presin.
Makolli përfundoi duke theksuar se interesi i shtetit është të ketë një qeveri sa më shpejt, dhe pa ndihmën e miqve ndërkombëtarë, “sidomos të SHBA-ve, nuk do të ketë marrëveshje të shpejtë për koalicionin qeverisës”.
“Interesi i shtetit është që të kemi një qeveri sa më shpejt, përndryshe, të gjitha opsionet janë në tavolinë, edhe ai i shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme. Pa ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë, sidomos të SHBA-ve, nuk do të ketë marrëveshje të shpejtë për koalicionin qeverisës”, tha Makolli.
/GazetaBlic/