Lajme

VV nuk ka të ndalur: Asamblisti i saj në Mitrovicë, avancohet në detyrë në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”

05/03/2024 19:59
nga:Y I

Asambleisti i Kuvendit Komunal të Mitrovicës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Kushtrim Zeneli, është avancuar në detyrë në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, KRUP.

Zeneli nga pozita inspektor i shkyçjes që e mbante tashmë ka avancuar në detyrë, menaxher i shkyçjes.

“Gazet Blic” ka provuar të kontaktojë me zotin Zeneli por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm deri në momentin e publikimit të lajmit.


Kushtrim Zeneli, Asambleist i VV-së, Kuvendi Komunal, Mitrovicë!

Në lidhje me avancimin në detyrë të Zenelit “Gazeta Blic” ka kontaktuar kryeshefin ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arsim Fetahu.

Fetahu konfirmoi avancimin e tij në detyrë dhe tha se kjo ka ardhur në bazë të rekomandimit të eprorit të tij.

“Avancimi në detyrë ka ardhur në bazë të rekomandimit të eprorit të tij që realisht edhe ai ka ndryshu pozitën, ka kalu në menaxher të kabinetit dhe ai duke patur parasysh që e ka njoft stafin e ka rekomandu. Përndryshe momentalisht është vetëm ushtrues detyre pastaj do të vazhdohet me konkurs të rregullt dhe kandidati më i mirë do të përzgjedhet dhe do të merr kontratë të rregullt, kjo eshte vetem faze e përkohshme” deklaroi Fetahu për “Gazeta Blic”

/Gazeta Blic/