Lajme

“VV nuk i ka numrat”/ Opsionet për formimin e Qeverisë së re – a mund të kemi zgjedhje të reja

1 ditë më parë
nga:G B

Ish kryenegociatori i dialogut dhe ish diplomati Avni Arifi, ka thënë se VV nuk i ka numrat për formimin e qeverisë, pasi po t’i kishte, tashmë qeveria e re do të ishte formuar.

Ai për Gazeta Blic ka thënë se VV po tenton të blejë deputetë.

“Vetëvendosje nuk i ka numrat, është një matematikë e thjeshtë, nëse i ka edhe minoritetet joserbe i ka 58 vota, duhet 61, po t’i kishte 61 vonesat në numërim të votave e KQZ do të përfundonin brenda ditës dhe veç do të kishim institucione të reja. Pra, arsyeja pse ne sot nuk kemi qeveri të re është sepse Kurti nuk i ka 61 vota. Tani ai do të përpiqet sigurisht që t’i sigurojë, të trafikojë qenie njerëzore, pra deputetë, mos po ka të pamoralshëm që blihet me para dhe ia bëjnë ato tri vota, ka fjalë të tilla nëpër qytet, madje ka edhe emra që përfliten, por është vështirë të besohet se do të ketë deputetë të tillë”, ka thënë ai.

Sipas Arifit, Kurti për partitë opozitare s’ka lënë vend për bashkëpunim dhe se nëse ai nuk e bën qeverinë, atë do ta bëjnë partitë opozitare, nëse arrijnë të pajtohen.

“Ndërsa për partitë opozitare Kurti nuk ka lënë vend as për ta pirë një kafe e lëre më për të qeverisur bashkë, asnjëri prej tyre nuk dëshiron që të qeverisë me të. Andaj po mbetet opsioni tjetër që është qeveri e opozitës. Ata i kanë numrat por është çështje se a do të mund të gjejnë gjuhë të përbashkët liderët e partive opozitare, ato janë parti që nuk i kanë fituar zgjedhjet dhe nëse ata kalkulojnë vetëm për interes të partisë dhe nëse për sherrin e LDK-së apo PDK-së nuk formohet qeveria dhe i lejohet Kurtit që të vazhdojë qeverisjen, nuk besoj që është në interes të tyre, e më së paku është në interes të Kosovës. Kurse çmimi që do të paguajë Kosova për mos krijimin e kësaj qeverie do të jetë shumë i madh dhe e kam të vështirë ta di se si do ta rikuperojë Kosova atë dëm”, ka vlerësuar ai për Gazet Blic.

Arifi shpjegon procedurat dhe mundësinë për të shkuar në zgjedhje të reja.

“Në momentin që certifikohen rezultatet, atëherë kemi zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që i takon VV-së. Nga ai moment Kurti i ka 15 ditë kohë për ta formuar qeverinë, nëse ai dështon i ka 10 ditë partia e dytë, e nëse nuk bëhet vendi shkon në zgjedhje pas 45 ditësh”, ka deklaruar Avni Arifi./Gazeta Blic/