Kosova ende nuk ka institucionet e reja të krijuara pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Por, sa ka ndikuar bllokada institucionale në raport me komunat?
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha për Gazeta Blic se kriza ka ndikuar dhe ka një varg punësh që kanë ngecur, por që qeveria po bën përpjekje që të kryhen.
“Tash është më se normale që cilido nivel i organeve kur funksionojnë mirëfilli, sigurisht që paraqiten edhe probleme në terren, besoj se është më se e dukshme por mund të themi që pas kësaj bllokade që është krijuar për shkak të bojkotit të opozitës për të ndihmuar në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kemi një varg punësh që kanë ngecur, përkundër faktit që qeveria po bën përpjekje t’i mbarojë detyrat e saj por jemi të vetëdijshëm që shumë punë apo kompetenca janë të kufizuara për shkak të mos fuksionializimit të Kuvendit”, u shpreh ai.
Bulliqi theksoi se si VV kanë bërë të pamundurën që të tejkalohet kriza, por që thotë se opozita ka bllokuar. Ai tani shton se persin vendimin e Kushtetueses.
“Ne si subjekt politik kemi bërë ç’është e mundshme për ta tejkaluar këtë krizë, por duket se disponimi i opozitës ishte për të bllokuar edhe më tutje këtë proces. Tashmë presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka paralajmëruar që deri më 8 gusht ta bëjë pezullimin e aktiviteteve të Kuvendit dhe po shpresojmë që kjo do të dalë me një vendim konkret dhe do t’i japë kahje këtij procesi”, ka vlerësuar Bulliqi për Gazeta Blic.
Sipas tij, edhe zgjedhjet janë zgjidhje.
“Edhe zgjedhjet janë zgjidhje e mirë që mund të bëhet, ta kthejmë besimin te qytetarët dhe të marrim edhe njëherë verdiktin qytetar se kah po do me e çu procesin”.
Sa i përket Kushtetueses, ai thotë se nuk pret ndonjë vendim të caktuar por pret që t’i jepet kahje procesit.
“Nuk është që pres ndonjë vendim të caktuar pasi Kushtetuesja duhet ta thotë fjalën e saj, ata kanë për obligim t’i japin kahje këtij procesit. Është e rëndësishme që më tutje të mos prolongohet procesi, të mos prolongohet konstituimi i Kuvendit dhe sigurisht që nëse diçka e tillë është e pamundur, atëherë t’i hapet rrugë procesit të zgjedhjeve që mund të mbahen. Nuk po mendoj që do të bëhet zgjidhja por pres që Kushtetuesja të japë një drejtim këtij procesi sepse s’mund të mbetet kësisoj i bllokuar”, ka deklaruar Bulliqi.
I pari i Podujevës ka thënë se opozita nuk e ka problemin te kandidati teksa ata nuk kanë votuar fare.
“E drejta e subjektit më të madh politik është që ta japë emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit dhe kjo e drejtë ka qenë e drejtë legjitime e Lëvizjes Vetëvendosje. Tashmë takimet e fundit, seancat e fundit nuk ka qenë në pyetje emri i kandidatit por procedura të cilën nuk e kanë respektuar, qoftë me votën ër, kundër apo abstenim, prandaj e kanë bllokuar Kuvendin në një fazë që kandidatura nuk ka qenë fare në pyetje. Prandaj, unë besoj që opozita duhet të reflektojë dhe sigurisht që Kushtetuesja do t’i japë një kahje këtij procesi dhe shpresojmë që sa më shpejt të bëhet zhbllokimi i Kuvendit dhe të bëhet konstituimi i tij, si organi më i lartë ligjvënës në vend”, ka potencuar ai.
Por, a janë zgjedhjet zgjidhje?
“Zgjedhjet janë gjithsesi zgjidhje, nëse nuk ka zgjedhje tjetër për këtë problem. Prandaj për ne nuk është telashe e madhe, jemi të gatshëm t’i nënshtrohemi këtij procesi, në mënyrë që të debllokohet puna e Kuvendit”, ka deklaruar Shpejtim Bulliqi./Gazeta Blic/


