Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë i ka bërë thirrje LDK-së dhe PDK-së në kryeqytet, që ta përkrahin pikën e rendit të ditës në Kuvendin Komunal, të propozuar nga Vetëvendosja në lidhje me projektin milionësh të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).
Egzon Azemi, asamblist i VV-së në Prishtinë, përmes një konference për media i ka bërë thirrje dy partive, duke thënë se kjo duhet të përkrahet sepse është iniciativë qytetare, e jo partiake.
“Ndryshimi i rregullores së Ndërmarrjes, humbja e pronës për disa banesa, akti noterial i paligjshëm, marrja e lejeve ndërtimore pa dokumentacion të plotë, pagesa milionëshe për leje nga NPB, për pronën dhe objektet që tentonin të ua transferonin kompanive të përzgjedhura në mënyrë shumë të dyshimtë, janë disa nga shkeljet e këtij projekti të NPB-së”, ka thënë ai.
Azemi tha se Bordit të Drejtorëve të NPB-së i është pamundësuar shkarkimi i kryeshefit, pasi nuk iu ka lejuar qasja në NPB, e më pas aksionarët e Ndërmarrjes e kanë shkarkuar dy anëtarë të Bordit, në mënyrë të paligjshme.
“Prandaj, iu bëjmë thirrje asamblistëve të LDK-së dhe të PDK-së, ta përkrahin Vetëvendosjen në futjen në rend ditë në diskutim në Kuvendin Komunal këtë projekt të NPB-së, sepse kjo është iniciativë qytetare, e jo partiake apo politike”, ka thënë Azemi ndër të tjera.Ai përmendi edhe problemin me mbetje të azbestit në lokacionin ku po synohet të ndërtohet projekti nga NPB-ja, e që sipas Azemit, inspektorët komunal kanë dështuar në trajtimin e çështjes.
Ndërmarrja Publike Banesore po synon që përmes një projekti për ndërtim të përbashkët të objekteve banesore dhe afariste, me kompani private, të rrisë të hyrat dhe pasurinë e saj. Toka e përzgjedhur për ndërtim është në lagjen ‘Lakrishte’ të Prishtinës, ndërsa vlera totale e projektit është parashikuar të jetë 120 milionë euro.