Lajme

VV në Prishtinë i reagon Ramës: Për keqardhje, i ka humbur rruga në oborr – përdor Adem Jasharin për t’i mbuluar dështimet

08/08/2024 13:33
nga:G B

Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Prishtinë, e ka quajtur për keqardhje dhe të ulët krahasimin e bërë nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” dhe atë të Arkitektit të Kryeqytetit, raporton Gazeta Blic.

Përmes një reagimi, VV ka thënë se Rama nuk e kursen as Adem Jasharin në përpjekjet e tij dëshpëruese për t’i mbuluar keqpërdorimet tashmë të faktuara të “Arkitektit të Kryeqytetit”.

Po ashtu, VV ka thënë se Ramës i ka humbur rruga në oborr.

Reagimi i plotë:

Reagim ndaj postimit skandaloz të kryetarit të Prishtinës.

Përveç se skandaloz, është për keqardhje dhe shumë i ulët, krahasimi që z. Rama është munduar ta bëjë në mes të projektit Master Plani për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” dhe projektit korruptiv e të orkestruar “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Në një postim sot, z.Rama ngriti një paralele tërësisht të paqëndrueshme dhe të pasaktë. Si arkitekt, ai e di fort mirë që Master Plani për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe kontrata e tij për “Arkitektin e Kryeqytetit” teknikisht, profesionalisht, përmbajtësisht, ligjërisht e parimisht janë të pakrahasueshëm.

Por, atij nuk i bëhet vonë që shkel edhe etikën profesionale, ashtu siç nuk ka lënë gur pa lëvizur deri më tani në tentativat e tij për ta kamufluar kontratën e tij personale 12 milionëshe. Në këtë drejtim dhe për këtë qëllim, Përparim Rama, nuk e kursen as Adem Jasharin në përpjekjet e tij dëshpëruese për t’i mbuluar keqpërdorimet tashmë të faktuara të “Arkitektit të Kryeqytetit”.

Kompleksi Memorial “Adem Jashari” është adresa e historisë së Kosovës, është identiteti ynë kombëtar e shtetëror. Përmes këtij memoriali, para botës, do të paraqitet në mënyrë dinjitoze dhe në nivel të lartë artistik lufta për liri e çlirim e familjes Jashari, e komandantit Adem Jashari, si dhe e gjithë popullit tonë.

Master Plani i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” nuk është një projekt i vetëm, por përmban 21 projekte të veçanta, nga ato në fushën e projektimit të arkitekturës dhe inxhinierisë, të konservimit, planifikimit hapësinor, kurimit e muzealizimit, e shumë të tjera.

“Arkitekti i Kryeqyteti” si projekt është kontratë e kurdisur për miqtë dhe bashkëpunëtorët e Përparim Ramës, është prodhues serik i fotografive të bukura për rrjete sociale dhe është zhvatës i vazhdueshëm i buxhetit të qytetarëve të Prishtinës, pa asnjë konkretizim e realizim praktik në qytet.

Të bëhet krahasimi i projektit më të rëndësishëm arkitektonik në historinë e Kosovës, Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, me projektin më të përfolur e diskutuar për paligjshmëri e korrupsion në histori të Prishtinës, “Arkitekti i Kryeqytetit”, – këtë mund ta bëjë vetëm një kryetar të cilit, thënë më së buti, i ka humbur rruga në oborr.

I ndodhur para fakteve të pakontestueshme për keqpërdorim e abuzim, duke mos i mbetur asnjë opsion tjetër, Përparim Rama po tenton që korrupsionin me “Arkitektin e Kryeqytetit” ta fsheh duke krijuar krahasime dhe relevancë me Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, me vendin më të rëndësishëm të kujtesës sonë kombëtare.

Faktet dhe provat për skandalin “Arkitekti i Kryeqytetit”, që përditë po prezantohen në opinion, bashkë me hetimet e prokurorisë, janë motivi dhe arsyeja e postimit të sotëm të kryetarit të Kryeqytetit. Megjithatë, me të tilla postime, z.Rama as nuk mund të fshihet prapa projekteve të rëndësisë kombëtare, por as nuk mund të justifikohet para qytetarëve të Prishtinës e organeve të drejtësisë.

Rama e krahason projektin e Jasharëve me punën e Arkitektit të Kryeqytetit, i quan hipokritë anëtarët e VV-së