Lajme

VV krenohet me raportin e WJP, megjithatë Sundimi i Ligjit në Kosovë sivjet dallon krejt pak me vitin e kaluar

12/04/2021 21:53
nga:M K

Lëvizja Vetëvendosje ka shfrytëzuar të dhënat e Indeksit për Sundimin e Ligjit të vitit 2021 “World Justice Project” për ta promovuar qeverisjen e tyre përgjatë këtyre 10 muajve. Megjithatë, raporti i 2021-ës në fushën e sundimit të ligjit me atë të 2020-ës, kohës kur VV nuk ishte në pushtet, nuk ofron dallime esenciale në rastin e Kosovës.

Në raportin e 2020-ës, pikët e Kosovës, sipas vlerësimit të WJP, janë 0.52, derisa në vitin 2021 janë 0.53. Megjithëkëtë, një pikë më shumë në këtë përmbledhje vjetore ka ngjallur reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje në ‘Facebook’, shkruan lajmi.net.

“Republika e Kosovës në renditjen botërore për sundimin e ligjit është renditur si e para në rajon. Kosova prinë në fusha si ajo e kufizimit të pushtetit qeverisës, mungesës së korrupsionit, për transparencë, respektimin e të drejtave të njeriut, rend e siguri, si dhe disa fusha të tjera”, thuhet në postimin e tyre në ‘Facebook’.

Ndërkaq, në fushën e luftimit të korrupsionit Kosova, sikurse në 2020-ën, ashtu edhe në 2021-ën, ka vlerësimin 0.46, që nënkupton se nuk ka shënuar as progres e as regres.

Mirëpo, Kosova përgjatë vitit 2021 ka shënuar regres në fushat siç janë qeverisja e hapur, zbatimin rregullator dhe rendin e sigurinë.

Vlerësimi i Kosovës në Sundimin e ligjit për vitin 2020

Vlerësimi i Kosovës në Sundimin e ligjit për vitin 2021
Sido që të jetë, Qeveria Kurti këtë vit ka dështuar ta zbatojë vetting-un në fushën e sundimit të ligjit, pasi që Komisioni i Venecias do ofrojë opinion e saj tek në vitin 2022. Ky proces është përcjellë me kritika nga Raporti i Progresit për vitin 2021, si dhe së fundmi nga ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.

“Për përmirësimin e integritetin të institucioneve të drejtësisë dhe rritjen e besimit qytetar në drejtësi, do ta kompletojmë kornizën ligjore të nevojshme, për realizimin e procesit të vetingut. Për këtë qëllim, do të ndërmarrim hapa për fillimin dhe zhvillimin e procesit të vetingut në gjyqësor dhe prokurori, duke filluar nga nivelet e larta hierarkike. Vetingu do të jetë instrument kyç për verifikimin e integritetit, profesionalizmit dhe kontrollin e pasurisë të subjekteve të vetingut. Procesi i vetingut do të jetë i drejtë, gjithëpërfshirës, me konsultime të gjëra publike me ekspertë të fushës, shoqërinë civile, botën akademike dhe partnerët ndërkombëtar”, thuhet në planprogramin qeverisës të legjislaturës së tetë, shkruan lajmi.net, përcjell GazetaBlic.

Ndaj këtij shkrimi të VV-së ka reaguar Nol Nushi i PSD-së, duke e cilësuar një gjë të tillë si mashtrim.

“Mashtrimi brina nuk ka! Perderisa Kurti po tenton ta beje vettingun me pretekstin qe gjyqesori nuk po funksionon, i njejti thote qe sistemi yne gjyqesor eshte me i miri ne rajon!”, thuhet në postimin e tij.

Ministria e Drejtësisë pritet ta marrë opinionin për vetting-un nga Komisioni i Venecias në mars të vitit të ardhshëm.