Lajme

VV-ja udhëheqë 50% të komisioneve – s’mund të ketë bllokadë, deputetëve u mungon ekspertiza

04/17/2021 08:52
nga:M K

Brenda kësaj jave janë konstituuar shumica e komisioneve parlamentare të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, ndarja e të cilave sipas Agnesa Haxhiut nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), reflekton fuqinë politike të LVV-së, e cila ka marrë nën udhëheqje komisionet më të rëndësishme.

Nga 14 komisione sa tash ka Kuvendi, shtatë prej tyre udhëhiqen nga VV-ja.

“Bazuar në praktikat e legjislaturave të kaluara edhe në këtë legjislaturë kryesia e Kuvendit me anë të një vendimi ka vendosë që edhe kjo legjislaturë të ketë 14 komisione, vendim ky i cili tashmë është miratuar edhe nga seanca. Ndarja e komisioneve është bërë sipas formulës së përcaktuar që është praktikuar edhe në legjislaturat e kaluara dhe ndarja e komisioneve dhe përbërja e tyre e reflekton fuqinë politike që e ka secili grup parlamentar në Kuvend bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit”, tha Haxhiu.

“Në këtë rast LVV-ja ka më së shumti komisione nën udhëheqje gjithsej 7 prej tyre dhe ka prej komisioneve më të rëndësishme. Udhëheqin me komisionet e përhershme si ai për Buxhet dhe ai për Legjislacion por edhe të tjera funksionale janë më të rëndësishme si ai për Punë të Jashtme, Shëndetësi e Arsim”, ka thënë ajo për EO.

Haxhiu thotë se duke qenë që pozita bashkë me komunitetet joshumicë përfaqësohet nga shtatë anëtarë brenda komisioneve nuk do të ketë bllokadë në punën e tyre, ashtu siç ndodhte në legjislaturën e kaluar.

“Opozita ka pesë komisione, kurse komunitet joshumicë nga një komision. Bazuar në fuqinë politike të secilit grup parlamentar LVV nëpër komisione ka pesë anëtarëve që së bashku me nga një anëtarë të komuniteteve të joshumicës nënkupton që tashmë është krijuar raporti i votave 7 me 4 që janë vota të mjaftueshme të mos ketë bllokada siç ka ndodhur në punën e komisioneve të legjislaturave të kaluara, sidomos në këtë të fundit ku ka qenë problematike me proceduar me çështjet në seancë për shkak të mungesës së kuorumit në komisione”, ka shtuar ajo.

Haxhiu ka folur edhe rreth përgatitjes profesionale që kanë deputetët e këtyre komisioneve, duke konsideruar se mungon ekspertiza në disa raste.

“Sa i takon çështjes së përvojës së anëtarëve nëpër komisione duhet të kemi parasysh që thuajse në secilën legjislaturë janë diku 3 a 4 profesione apo kualifikime që dominojnë në përbërjen e Kuvendit. Ngjashëm ndodhë edhe në këtë legjislaturë ku kemi diku gjysmën e deputetëve që i takojnë kualifikimeve si jurist, ekonomist, mjek, e politikolog. Normalisht që ka fusha që nuk kanë mbulueshmëri, nuk kanë ekspert”.

“Ndodhe që secili komision ka nga 11 anëtarë dhe jo të gjithë ata që janë mjekë të mbërrijnë të sistemohen në komisionin për shëndetësi, dhe ata duhet të vendosen në komisione tjera që nuk janë ekspert të asaj fushe veprimi. Për këtë arsye secili komision e ka mundësinë dhe buxhetin që të angazhojë ekspert të jashtëm dhe të shfrytëzojnë kapacitet që i ka Drejtoria për Hulumtime Parlamentare”, ka thënë ajo.

Ndërsa Erblin Hoxha nga Lëvizja “FOL” ka thënë se edhe kësaj radhe përjashtuar LVV-në, anëtarët e njëjtë janë në komisionet e njëjta.

“Sa i përket numrit kjo çështje është e rregulluar edhe me ligj, ku në bazë të fuqisë politike që e ka secila parti politike në Kuvend ashtu edhe ndarja e komisioneve bëhet në atë mënyrë, pra 7 nga 14 komisionet ose gjysma e tyre janë të Lëvizjes Vetëvendosje për shkak të numrit të votave dhe të deputeteve, prandaj në këtë aspekt nuk shohim problem. Kurse sa i përket përbërjes, kompetencave të pjesëmarrësve apo të anëtarëve është ende herët të jepet një vlerësim i saktë”, tha Hoxha.

“Shumica e këtyre komisioneve nëse e shikojmë prej përbërjes së kaluar, prej partive tjera përveç partisë VV shumica e anëtarëve të njëjtë janë në komisionet e njëjta, vetëm pozita e tyre ka ndërruar, ndërsa disa prej anëtarëve të rinj që kanë hyrë ende pritet të shohim një vlerësim me bë më të saktë prej punës që bëjnë në muajt në vazhdim”, është shprehur Hoxha për EO.

Poashtu Hoxha ka thënë se pjesë e parlamentit kësaj radhe janë edhe aktorë dhe kjo nënkupton që nuk kanë profesion që përfshihet direket në politikëbërje.

Përkundër kësaj, Hoxha thotë se meqenëse demokracia ua ka mundësuar të përfaqësojnë qytetarët në Kuvend, këta deputet duhet të japin kontributin e tyre jo vetëm procedural.

“Në këtë pjesë nuk ka rëndësi vetëm profesionalizmi nëse mund ta quajmë sepse kemi deputet të cilët nuk kanë ndonjë profesion direkt të përfshirë në politikëbërje, kemi edhe aktorë e siç e kemi parë në zgjedhjet e kaluara që janë pjesë e parlamentit, mirëpo kjo është demokracia ku secili e ka të drejtën me përfaqësu qytetarin pa marrë parasysh se çfarë profesioni ka”.

“Kontributi i tyre në komision nuk duhet të ishte thjeshtë procedural por konceptual më shumë, prandaj ne presim prej deputetëve që janë për herë të parë pjesë e komisioneve që së paku me pas mendim ndryshe dhe me tregu një kreatitivitet të llojit të vet që në plotësim dhe draftim të ligjeve të ndryshme me qenë më të zëshëm brenda komisioneve”, ka përfunduar ai për EO.

LEXO EDHE:

427 mijë e 371 qytetarë aplikuan për 10 përqindëshin në Trust