Lajme

“VV-ja ka rënie të votuesve, për atë kërkon shtyrje të zgjedhjeve”

09/08/2021 00:18
nga:Gazeta Blic

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj, vlerëson se shtyrja e zgjedhjeve nuk është kërkesë e drejtë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Zogaj në “Edicionin Special” thotë se situata me pandeminë është e ngjashme sikur në shkurt kur u mbajtën zgjedhjet nacionale e për këtë kërkojnë që të ketë vetëm shkurtim të fushatës zgjedhore, njofton Klankosova.tv.

“Ne gjatë javëve të fundit po shohim një tendencë të shtyrjes së zgjedhjeve dhe besojmë që kjo është e pavend. Këtë e patëm dëgjuar në qarqe jo formale teksa Konjufca deklaroi mbrëmë për shtyrje të zgjedhjeve i bie që kjo u bë formale”.

“Njësoj e kemi pas situatën edhe në shkurt të ngjashme e kem situatën edhe tash, kundërshtojmë që zgjedhjet të shtyhen por që fushata të shkurtohet pasi grumbullimi i njerëzve mund të kontribuojë në shpërndarjen e COVID-19 prandaj propozojmë që fushata të shkurtohet në 10 ditët e fundit dhe debatet të bëhen nëpër mediume”.

“Edhe në shkurtin e këtij viti kemi pasur situatë të ngjashme dhe kampanjë të hapur e atëherë nuk është kërkuar që të shtyhen zgjedhjet as nga pozita as nga opozita prandaj as tash nuk duhet të shtyhen zgjedhjet”.

Zogaj thotë se nga anketat e bëra del se ka rënie të votuesve për Lëvizjen Vetëvendosje e ngritje për Lidhjen Demokratike të Kosovë e për këtë pozita po kërkon shtyrje të zgjedhjeve.

“Vetëvendosje po kërkon që të shtyhen zgjedhjet pasi në anketa dhe në disponimin e qytetarëve po shihet se ka rënie për ta dhe ngritje për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Anketat që bëjmë ne dhe institucionet ndërkombëtare dhe sondazhet e njëjta i shohim se ka rënie për ta dhe ngritje për ne. Anketa thotë se ka një trend rritës ku del se LDK-ja është në vendin e dytë dhe se për VV-në ka rënie”, tha Zogaj.

Zogaj mes tjerash thotë se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje për shkurtimin e fushatës zgjedhore teksa për shtyrjen e zgjedhjeve duhet pajtimi i të gjitha partive politike e shumë nga partitë politike nuk e mbështesin shtyrjen e zgjedhjeve.