Lajme

VV-ja e lëshon sallën, dështon votimi i buxhetit të Prishtinës

09/30/2024 12:00
nga:G B

Në një mbledhje të jashtëzakonshme të mbajtur të hënën, Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk arriti të miratojë buxhetin për vitin 2025.

Dështimi i miratimit erdhi pas vendimit të Lëvizjes Vetëvendosje, partia më e madhe opozitare, për të lëshuar mbledhjen, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk mori pjesë fare në këtë seancë.

Asamblistët e VV-së e arsyetuan vendimin e tyre duke theksuar se nuk ishin mbajtur dëgjime publike paraprakisht, gjë që ata e konsideruan joligjore për buxhetin e propozuar

Shefi i asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla, ka theksuar se ky buxhet nuk i shërben Prishtinës dhe se është një moment kritik për zhvillimin e kryeqytetit.

Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mbajtur një fjalim para asamblistëve të kryeqytetit, ku ka paraqitur përpjekjet për përpilimin e buxhetit të vitit 2025.

Rama theksoi se procesi ka qenë jashtëzakonisht transparent dhe se është përfshirë një gamë e gjerë kërkesash nga qytetarët.