Lajme

“VV është në panik”/ Beqiri tregon pse Kurti s’po i përgjigjet ftesës së Prokurorisë

12/28/2024 17:23
nga:G B

Kandidati për deputet nga LDK, Ismet Beqiri, ka thënë se rritja e pagave e ndarja e shtesave për fëmijët dhe pensionistët është korrupsion financiar, derisa thotë se VV po e bën pasi ka një siklet, panik.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se VV po bën atë çfarë ka thënë se nuk do ta bëjë, derisa tani po sulmon të gjithë për shkak të dështimeve të veta.

“Patjetër që është blerje votash sepse është njëfarë korrupsioni politik dhe financiar sepse në këtë fazë është qëndrimi i vetëm ky që të korruptohen qytetarët dhe tentojnë t’ua ndërrojnë mendjen sepse e kanë një siklet, e kanë njëfarë panik dhe ua rritin pagat, u japin shtesa por këto nuk i zgjidhin problemet por duhen zgjidhur problemet në aspektin afatgjatë. Problemi më i madh është që këta kanë bërë çdo gjë që kanë thënë se s’do ta bëjnë, kanë bërë veprime fushate, i kanë sulmuar mediat, shoqërinë civile, organet e pavarura i kanë politizuar, luftë kundër korrupsionit nuk ka pasur, kanë bërë aq shumë veprime jo shtetërore dhe ka aq shumë procedura që kanë nisur ndaj tyre dhe organet kompetente do ta thonë fjalën e tyre. Nuk ndodh askund që të sulmohen organet e drejtësisë”, thekson ai.

Për deklaratat e VV-së se organet e drejtësisë janë të kapura nga opozita, Beqiri thotë se nuk është e vërtetë derisa tbekson se VV krenohet me të njëjtit prokurorë për numrin e aktakuzave, ndërsa që të njëjtit i akuzon për kapje.

Ai ka thënë po ashtu se Kurti duhet t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë për t’u intervistuar, teksa thotë se ai po dëshiron që ta bëjë punën që të shkojnë ta marrin për të dhënë dëshmi dhe më pas të bëjë skena për të fituar ndonjë votë.

“Ata thonë kështu sepse duan por nuk është e vërtetë sepse në njërën anë krenohen për ngritje të aktakuza, të njëjtët prokurorë janë, s’mund të kritikohen e të lëvdohen të njëjtit. Unë vetëm tash po e shoh që të ftohet një kryeministër në cilësinë e dëshmitarit dhe nuk i përgjigjet ftesës së Prokurorisë. Ai është dashur t’i përgjigjet. Pse t’i shkojnë ata në zyre, ku ka parë që t’i shkojnë prokurorët në zyre. Nëse është zgjedhur kryeministër nuk është zgjedhur kryeprokuror i vendit. Atje nuk po thirret që të tregojë sa për qind të votave i ka marrë, se sa i rëndësishëm është e sa punëtor por për diçka që dyshohet për krim ekonomik ose korrupsion nga bashkëpartiakët e tij dhe do të duhej të përgjigjej, pse atëherë kjo frikë. Ky po tenton që ta marrë rolin që të shkojnë ta marrin dhe ta çojnë në prokurori dhe ta japë dëshminë dhe pastaj ky të bëjë skena siç di t’i bëjë për t’u paraqitur viktimë dhe për të nxjerr edhe aty ndonjë votë”, shprehet kandidati për deputet i LDK-së.

Beqiri ka kritikuar VV-në për mënyrën e qeverisjes teksa thotë se pushtetin e kanë marrë me votë por që s’kanë bërë asgjë dhe natyrisht që do të kritikohen.

“Interesant është kjo punë, këta një kohë kanë qenë lule siç e thonë dhe këta dhe ju dha rasti nga qytetarët me votë, asnjëherë nuk më kanë pëlqyer si janë sjellë në opozita pasi kanë bërë veprime të dhunshme por në pushtet kanë ardhur me votë të qytetarëve dhe janë aty ku janë. Në këto 4 vite kanë pasur një rast të jashtëzakonshëm pa asnjë penegsë për të bërë ndonjë punë të hajrit dhe nuk e kanë bërë dhe tani u janë errësuar sytë dhe thonë se të gjithë janë kundër, si mund të jenë të gjithë kundër kur para një kohë të gjithë këta në një mënyrë ose tjetër i kanë përkrahur se duhet ndryshuar qeverisjet e mëparshme dhe ju dha rasti. Dhe pse ndodhi tani që u kthyen kundër, për shkak punëve të mira apo për shkak punëve jo të mira? Nuk mund të kërkosh të përkrahesh për diçka që nuk e ke mirë dhe këta pikërisht këtë po duan ta bëjnë. Mendoj se kjo është rezultat i një paniku që e kanë”, vlerën ai.

Ndërsa, sa i përket sondazheve, Beqiri thotë se me 9 shkurt gjërat do të ndryshojnë dhe rezultati nuk do të jetë siç mendon VV por siç do LDK, se do të fitojnë.

“Sondazhet në disa raste bukur serioze kanë dështuar në fund. Unë besoj që deri me 9 shkurt do të ndryshojnë gjërat, mendoj që shumë parti politike, rezultati nuk do të dalë siç mendon VV por do të dalë siç mendon LDK në këtë rast për vete. Ne besojmë që jemi në rrugë të mirë në kuptim të rikthimit të një numri të madh të votuesve dhe besojmë se VV do të humbë dhe ne do të fitojmë. Ne pretendojmë vendin e parë dhe mendoj se është reale dhe jo vetëm dëshirore nëse krahasohet këta çfarë kanë bërë dhe çfarë ofrojmë ne sepse i patën shanset për të bërë diçka dhe nuk bënë asgjë”, potencon Ismet Beqiri./Gazeta Blic/