Lajme

“VV do ta përdorë Asociacionin për fushatë – Kosova në pikën më të ulët në dialog”

03/20/2024 09:43
nga:G B

Ish kryenegociatori i dialogut Kosovë-Serbi, Avni Arifi, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se Kosova e ka pranuar Asociacionin dhe mbetet vetëm të shihet se cila qeveri do ta realizojë atë, kjo aktualja apo e ardhmja.

“Kryeministri e ka pranuar marrëveshjen dhe Escobar tha qeveria nuk është pozicionuar qartë a dëshiron ta implementojë propozimin evropian për Asociacionin. Kosova e ka pranuar Asociacionin, edhe në marrëveshjen e Brukselit, edhe në atë të Ohrit. Tash obligim Kosova ka marrë. A e realizon kjo qeveri apo një qeveri tjetër, krejt çka ka ndodhur është qeveria aktuale e VV-së i është bashkuar partive tjera në pranimin e Asociacionit, kurse çështja e implementimit është se nuk po bëhet, çështja e diskursit publik është kah ajo se kush do ta implementojë atë”, thotë ai.

Duke folur për deklaratat e kryeministrit se Asociacioni s’mund të bëhet pasi marrëveshja nuk është nënshkruar, Arifi thotë se ajo është e njohur ndërkombëtarisht dhe nëse është ashtu siç thotë Kurti, valide nuk është as marrëveshja e 2013-ës.

“Kjo marrëveshja është e njohur ndërkombëtarisht, që faktori ndërkombëtar si vendimmarrës po thotë se është obligative, këtë e thonë edhe ekspertë ligjorë. Tash nëse duam ta bëjmë këtë lojën e nënshkrimeve, atëherë nuk është nënshkruar as marrëveshja e vitit 2013 sepse nënshkrimi i Daçiqit dhe Thaçit nuk janë valid në formën si janë shkruar. Pra kjo është një kërkesë e kryeministrit Kurti, mirëpo ndoshta nuk është dashur të pranohet hiç marrëveshja e Brukselit pa u nënshkruar, por këta janë pajtuar e më pastaj ka dalë kërkesa që të nënshkruhen marrëveshjet”, thekson Avni Arifi.

Sipas tij, Asociacioni është pranuar nga Vetëvendosje por do të përdoret për zgjedhjet e ardhshme si temë partiake, siç është përdorur edhe çështja e manastirit.

“Kjo është edhe esenca. Si temë nacionale, kaherë e ka shndërruar në temë partiake dhe dëmet më të mëdha që i ka pasur Kosova në këtë proces ka qenë se është kthyer në temë partiake dhe elektorale, pak a shumë si manastiri. Çështja e kthimit të tokave të manastirit ka qenë çështje ligjore, mirëpo VV për arsye të përfitimit elektoral e ka shndërruar në temë partiake, në premtim elektoral dhe kur ka ardhur momenti që është dashur të merret një vendim nuk e kanë pasur fare problem ta nënshkruajnë dhe t’ia kthejnë tokat, ashtu siç e ka paraparë vendimi gjyqësor. Pak a shumë e kemi të njëjtën situatë”, shprehet ai.

Arifi vlerëson se Asociacioni nuk është produkt i VV-së por kualiteti i tij është përgjegjësi dhe meritë e VV-së.

“Edhe një ditë kur të fillojnë ta implementojnë, do të thirren në atë se ky ka qenë i bërë nga partitë tjera politike, ka qenë obligim ndërkombëtar, por ke kujdes, Asociacioni me të vërtetë nuk është produkt i LVV-së e as i Albin Kurtit, mirëpo kualiteti i Asociacionit është përgjegjësi dhe meritë ekskluzive e Lëvizjes Vetëvendosje”, potencon ish kryenegociatori.

Sa i përket çështjes së dinarit dhe bërjes së saj pjesë të dialogut, Arifi thotë se ka pasur njerëz edhe më të mëdhenj se Kurti që kanë thënë se s’duan të diskutojnë për tema të caktuara por në dialog është bashkësia ndërkombëtare ajo që vendos.

“Shumë herë në shumë tema ka pasur edhe më të mëdhenj se Albin Kurti që kanë thënë se nuk bisedojnë për tema të caktuara, një kohë thoshte edhe Millosheviqi, edhe pse nuk dua të bëj në asnjë mënyrë paralele me lidershipin tonë, se nuk dua bisedime me Kosovën, me faktorin ndërkombëtar, mirëpo, kur është bashkësia ndërkombëtare e involvuar në proces ajo i cakton temat, edhe dinarin, edhe çdo temë tjetër nëse do bashkësia ndërkombëtare, kjo ka qenë praktikë në të kaluarën, është praktikë tash dhe do të ndodhë edhe në të ardhmen”, vlerëson Arifi.

Sipas tij, Kosova kurrë s’ka pasur raport më të keq në dialog, derisa me bashkësinë ndërkombëtare janë në pikën më të ulët.

“Sa i përket pozicionit të Kosovës në dialog, mund të them se kurrë Kosova nuk ka pasur raport më të keq. Ne më Serbinë nuk dialogojmë që nga viti 1989, ne faktikisht kurrë nuk ne kemi pasur dialog me Serbinë, ne kemi pasur dialog me bashkësinë ndërkombëtare dhe ata i kemi pasur partnerë. Raport me bashkësinë ndërkombëtare është në pikën më të ulët të mundshme”, deklaron Avni Arifi./Gazeta Blic/