Analistja politike Shqipe Pantina, ka thënë se nuk ka parë përpjekje nga Konjufca për t’i bërë numrat për formimin e qeverisë.
Ajo në një intervistë për Gazeta Blic ka thënë se nominimi i Konjufcës është vetëm mënyrë për t’i shtyrë zgjedhjet deri në fundvit, kur mërgimtarët vijnë për festa në Kosovë.
“S’kam parë deri tani ndonjë përpjekje nga z.Konjufca për të arritur shumicën në Kuvend. Mendoj se nominimi i tij ka qenë vetëm për të blerë kohë, që të shtyhen zgjedhjet sa më afër festave të fundvitit, kur mërgimtarët vijnë për pushime sepse VV gjithmonë synon që votat e diasporës t’i marrë ajo. Zgjedhjet e fundit kanë treguar se diaspora nuk e voton vetëm VV-në sepse ajo nuk doli e para me votat e tyre, megjithatë, mërgata voton më shumë me emocion se sa me racionalitet dhe VV është shumë e mirë në luajtje të emocioneve, në propagandë, po e shohim se çka po bën në Mitrovicë dhe mund të marrë vota të mërgimtarëve por kjo nuk besoj se do t’i sigurojë përqindje më të madhe në total sepse shihet një zhgënjim shumë i madh i njerëzve nga VV, sidomos nga shkurti e tutje, kur ajo e vuri interesin e individëve përpara interesit të shtetit, duke e bllokuar formimin e institucioneve”, është shprehur ai.
Por, a mund të përsëritet situata e njëjtë, nëse kemi rezultat të ngjashëm në zgjedhjet e reja nëse mbahen në dhjetor?
Sipas Pantinës, partitë nuk do të duhej t’i përsërisnin veprimet e njëjta.
“Unë dua të besoj se subjektet politike e kanë mësuar mësimin dhe nuk do t’i përsëritin veprimet e njëjta dhe pas zgjedhjeve do të ketë veprime më të shpejta. Nëse VV del sërish e para, partitë tjera duhet ta votojnë kandidatin e tyre për kryetar të Kuvendit që më pas të rrjedhin afatet për formimin e qeverisë dhe partitë tjera të bëhen bashkë dhe ta formojnë qeverinë, për ta lënë VV-në në opozitë”, ka deklaruar Shqipe Pantina./Gazeta Blic/


