Komuna e Vushtrrisë ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në fushën e transparencës buxhetore, duke u vlerësuar me 100% transparencë në publikimin e dokumenteve buxhetore për vitin 2023 nga Instituti GAP, në raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave”, raporton GazetaBlic.
Kryetari i Komunës, Ferit Idrizi, e ka cilësuar këtë rezultat si një konfirmim të angazhimit të tij dhe të administratës komunale për një qeverisje të hapur dhe transparente. Ai theksoi se ky është një progres i jashtëzakonshëm, duke e ngritur Vushtrrinë nga vendi i 17 në vitin 2021, me 62 pikë, në vendin e 9 në vitin 2022 me 93.5 pikë, dhe tani në vendin e parë me 100 pikë për transparencën buxhetore.
Ferit Idrizi theksoi se ky sukses është një dëshmi e përkushtimit të Komunës për të siguruar që çdo qytetar të ketë informacion të qartë dhe të plotë për mënyrën se si shpenzohen taksat e tyre.
“Ky është një angazhim për një qeverisje transparente, ku qytetarët janë në qendër të vëmendjes. Ky vlerësim është një motivim për të vazhduar me hapa të tjerë në drejtim të rritjes së transparencës dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët tanë,” ka thënë Idrizi.
Në përmbyllje, ai ka shtuar: “Transparenca është e rëndësishme për ndërtimin e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve. Ne do të vazhdojmë të jemi të hapur dhe të përgjegjshëm ndaj çdo qytetari të Vushtrrisë.”
E plotë: