Lajme

“Vullneti i popullit gjithmonë triumfon – Nuk mund ta duash vendin tënd vetëm kur fiton” – Biden pas fitores së Trump

11/07/2024 19:02
nga:G B

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka deklaruar se do të sigurojë një kalim paqësor dhe të rregullt të pushtetit te Donald Trump, i cili u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit.

Biden e bëri këtë ditur në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, duke theksuar se, ndryshe nga viti 2020 kur Trump refuzoi të merrte pjesë në ceremoninë e betimit të tij, ai është i përkushtuar për të respektuar zgjedhjen e popullit amerikan dhe për të mundësuar një transferim të qetë pushteti.

“Unë e di që për disa njerëz është koha për fitore, për të thënë të dukshmen. Për të tjerët, është një kohë humbjeje. Fushatat janë gara të vizioneve konkurruese. Vendi zgjedh njërën ose tjetrën, ne e pranojmë zgjedhjen që bëri vendi”, ka thënë Biden.

“Nuk mund ta duash vendin tënd vetëm kur fiton”, ka shtuar presidenti amerikan.

“Dje fola me Presidentin e zgjedhur Trump për ta uruar për fitoren e tij dhe e sigurova se do ta drejtoja të gjithë administratën time që të punojë me ekipin e tij për të siguruar një tranzicion paqësor dhe të rregullt. Kjo është ajo që meriton populli amerikan”.

Pasi vendosi të tërhiqej nga gara për një mandat të dytë pas humbjes së një debati të ashpër me Trump, Biden lavdëroi gjithashtu zëvendëspresidenten e tij, Kamala Harris, e cila humbi në zgjedhjet e fundit, duke shprehur vlerësimin e tij për kontributin e saj gjatë mandatit.

“Ajo drejtoi një fushatë frymëzuese dhe të gjithë panë diçka që mësova që herët ta respektoja aq shumë, karakterin e saj… Ajo dha gjithë zemrën dhe përpjekjen e saj. Ajo dhe i gjithë ekipi i saj duhet të jenë krenarë për fushatën që drejtuan”, ka thënë Biden.