Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, deklaroi se shteti që ai përfaqëson mbetet i vetmi vend në Evropë që ka politikë “miqësore e vëllazërore” ndaj Rusisë.
“Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe nuk është bërë pjesë e histerisë anti-ruse”, tha Vulin, në takimin që e kishte të hënën në Moskë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov.
Sipas njoftimit të MPB-ës serbe, Vulin falënderoi Rusinë për mos-njohjen e pavarësisë së Kosovës, kurse nikoqiri citohet të ketë thënë se Kremlini respekton “tërësinë territoriale të Serbisë”.
“Rusia po shtron presion mbi Beogradin që ta radikalizojë situatën rreth Kosovës. Vulin,shkoi atje të marrë instruksione. Në anën tjetër, presidenti Vuçiq, javën që shkoi përjetoi presione të caktuara nga BE-ja e ShBA-ja. Serbia ndodhet në presion nga të dyja palët. Bashkësia perëndimore më në fund po e kupton më qartë se sa më parë se Beogradi, në fakt është faktori kryesor de-stabilizues në rajon”, thotë Sonja Biserko, themeluese e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Beograd.
Pos kësaj, aktivistja e njohur shton se Vulin shkoi në Rusi me pajtimin e plotë të presidentit të Serbisë, që sipas saj është në krizë të madhe.
“Aleksandar Vuçiq, është më shumë me lindjen se me perëndimin, por ai nuk mund të humb mbështetjen e perëndimit sepse Serbia sikur edhe vendet tjera të Ballkanit jeton nga fondet e BE-së e të disa vendeve tjera. Do të ishte një katastrofë nëse bashkësia ndërkombëtare do i vendoste sanksione Serbisë”, përfundoi Biserko.


