Lajme

Vuçiq flet prapë për “kornizën e re”: Më është propozuar, por e refuzova

09/22/2022 07:22
nga:Astrit Gashi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka pranuar edhe njëherë se e ka parë kornizën e re të dialogut për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, të cilin e ka publikuar të dielën

“A e di çfarë është përmbajtja, sigurisht që e di”, thotë Vuçiq, raporton B 92.

“Prandaj dje kanë marrë një mesazh të rëndësishëm për këtë. Serbia nuk do të lejojë Kosovën në OKB derisa unë jam president”.

“Ne duam një zgjidhje kompromisi dhe marrëdhënie të mira, sigurisht që duam. Por, së pari le të shohim të drejtat e serbëve, çfarë marrim, si respektohet Rezoluta 1244. Unë kam frikë se nuk është plotësisht realiste”, shton kreu i shtetit serb.

I pyetur nëse pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën do të dorëzoheshin nga presioni i Brukselit, ai theksoi se “për disa jam i sigurt se nuk do të dorëzohen”.

“Disa mund të dorëzohen, por ata janë ende miqtë tanë të mëdhenj”, tregoi ai.

Vuçiq po ashtu ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se Serbia është aleate e Rusisë.

Sipas tij – Kurti “dëshiron që gjatë gjithë kohës të luajë Zelenskyn, duke llogaritur se Perëndimi është një fitues i sigurt dhe ai dëshiron të vendoset në maje të tyre”.