Dy liderët shtetërorë serbë, presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeparlamentari Ivica Daçiq, janë përplasur rreth situatës së krizës në Ukrainë, raportojnë mediat e afërta me regjimin në Beograd.
Në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Daçiq ka kërkuar që të hiqen nga qëndrimi i këshillit pjesë të tëra që i referohen mbështetjes për integritetin territorial të Ukrainës, mëson gazeta serbe, “Blic”.
Një burim i “Blic” ka thënë se për këtë ka reaguar me zemërim presidenti Vuçiq.
Në kundrpërgjigje ndaj Daçiqit, Vuçiqi nuk ka pranuar t’i fshijë pasazhet, ka thënë burimi i “Blic”-it serb.
Presidenti i Serbisë sot duhet ta bëjë publike këtë qëndrim, pas një seance tjetër të Këshillit serb të Sigurisë Kombëtare dhe takimit me Patriarkun Porfirio, me të cilin do të diskutojë edhe për situatën në Ukrainë.


