“Situata në lidhje me Kosovën nuk është e mirë për ne dhe nuk është shumë larg dramatikes, çdo ditë e më shumë populli ynë në Kosovë e Metohi, e veçanërisht në veri, është i sulmuar – si inteligjent, ashtu edhe politik e ekonomik, çdo ditë e më i fortë. Shumë mendojnë se do ta shfrytëzojnë rastin për ta kompensuar situatën në Ukrainë me suksese të mëdha në Kosovë duke larguar, dëbuar apo detyruar serbët të pranojnë atë që është e pamundur të pranohet, tha sot presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Këto komente ai i bëri gjatë demonstrimit ushtarak në Batajnicë të pajisjeve ushtarake raketore të reja të blera nga Kina.
Siç tha ai, “Serbia nuk ka asgjë të mirë për të pritur nga bisedimet për Kosovën, sepse ata në fakt nuk po flasin dhe kjo nuk është dëshira e Beogradit, raportuan mediat serbe, përcjellë GazetaBlic.
“Është dëshira e atyre që nuk e kanë ndëmend të plotësojnë atë që kanë nënshkruar dhjetë vjet më parë, nuk u intereson fare. Askush nuk po i detyron ata ta bëjnë këtë, dhe ata që nuk po i detyrojnë janë në gjendje të detyrojnë dhe ngacmojnë njerëzit tanë, nga targat e deri te gjitha gjëraj tjera që janë dytësore në e Marrëveshjes së Brukselit dhe këtë as që dëshirojnë ta përmendin. Ose do të japin shpjegimin e Pilatit “ne jemi të vendosur të flasim për këtë”, e nuk do të flitet kurrë”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se “po mundohen ta përfundojnë punën dhe ose t’i dëbojnë serbët nga Kosova ose t’i detyrojnë ata të pajtohen me pavarësinë e Kosovës, dhe në anën tjetër Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës”.
“Është e kuptueshme”, shtoi ai, “se Serbia nuk mund ta përmbushë këtë për shkak të Kushtetutës së saj”.
“Gjithmonë e kam mbështetur dialogun. Dikur kemi pasur një dialog të vërtetë, por sot me Kurtin dialogu nuk ekziston. Që moti ka kaluar koha kur kanë mundur të na urdhërojnë se çfarë dhe si duhet ti bëjmë gjërat”, tha Vuçiq.
Me rastin e takimit me kancelarin gjerman Olaf Scholz, që do të mbahet javën e ardhshme, presidenti serb tha se pret që ta dëgjojë kancelarin dhe të dëgjojë të gjitha kundërshtimet për sjelljet e Serbisë dhe të ketë mundësinë të thotë se cili është qëndrimi i Serbisë.
“Është një mundësi e mirë që do të kemi pak kohë për të shprehur pikëpamjet tona dhe sigurisht që nuk do t’i ndryshojmë qëndrimet e Gjermanisë për Kosovën dhe sanksionet”, tha Vuçiq.
“Nuk kam pritshmëri të mëdha, përveç se shpresoj që kancelari gjermane të dëshirojë të dëgjojë edhe anën tonë”, tha ai, përcjellë GazetaBlic.
Ai më tutje ka thënë se afati 60 ditësh që ia ka përmendur senatorit amerikan Chris Murphy si afat kohor s’ka të bëjë me sanksionet kundër Rusisë.
Sipas Vuçiqit tema e bisedimeve ka qenë për një projekt të caktuar pa dhënë detaje se për çfarë saktësisht.
“Mendoj se do të ishit më të lumturit nëse do të vendosja sanksione ndaj Rusisë, sepse të gjithë ata që keni mbështetur, ju dhe pronari juaj, e dëshironi këtë”, tha Vuçiq.
Senatori amerikan Chris Murpy që vizitoi Beogradin para dy javësh së bashku me dy senatorë të tjerë, ka dhënë disa detaje në bisedimet me Vucicin, të cilin e ka pyetur se a do t’i vendosë sanksione Rusisë.
“Në rregull, Aleksander, duam të dimë, a do të qëndroni me shtetet demokratike dhe të sanksiononi atë apo do të vazhdoni të luani me dy anët”, i ka thënë Murphy.
Ai thotë se pyetja e thelloi bisedën që zgjati një orë mes tyre mbi historinë e Serbisë me Rusinë dhe shprehjen e famshme se Serbia ulet në dy karrige edhe me Rusinë edhe me Bashkimin Evropian.
Pas bisedës Vuçiq i thotë senatorit demokrat që ta thërrasë pas 60 ditëve dhe ta shohë se a e ka bërë atë që i ka thënë.
“Më thirr pas 60 ditëve. Shiko pastaj se a e kam bërë atë që po ta them se do ta bëj”, ka thënë Vuçiq në fund të takimit me senatorët.


