Lajme

Vuçiq për urdhër-arrestin kundër Putinit: Ia vështirëson situatën Serbisë nesër në Ohër

03/17/2023 20:52
nga:Astrit Gashi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se për shkak të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë për arrestimin e presidentit të Rusisë Vladimir Putin, pozita e Serbisë në Ohër nesër në negociatat për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të jetë më e vështirë dhe se për këtë do të duhet të mendojë edhe më shumë për çdo lëvizje të tij në të ardhmen, raportoi RTV, përcjellë GazetaBlic.

“Ne do të duhet të jemi të përgjegjshëm dhe serioz. Perëndimi dëshiron të ushtrojë presion shtesë mbi të gjithë ata që nuk kanë qenë më të ashpër kundër Rusisë deri më tani. Është fare e sigurt që bota po rrëshqet në një përshkallëzim shtesë të konfliktit dhe një përshpejtim të konfliktit”, tha Vuçiq në një fjalim drejtuar qytetarëve.

Vuçiq tha se gjëra të caktuara po ndodhin në botë dhe se një rrezik i madh ka dalë para Serbisë, por shtoi se ka gjëra për të cilat ai nuk mund të flasë publikisht, sepse ai nuk është analist, por President.

Siç tha ai, Perëndimi ka treguar se do të shkojë deri në fund dhe se nuk është shumë i shqetësuar për përshkallëzimin e mundshëm të konfliktit.

Vuçiq tha se të dyja palët do të luajnë gjithçka ose asgjë, domethënë do të shkojnë deri në fund dhe se pasojat në botë do të jenë shumë më të vështira për të gjithë.

Ai më tutje shtoi se “është i gatshëm të thotë se nuk jemi shumë larg shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore dhe se detyra e tij e vetme është të shpëtojë Serbinë”.