Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, i ka quajtur “gënjeshtra të tmerrshme” deklaratat se ish-emisari i SHBA-ve për dialogun, Richard Grenell dhe ai për Ballkanin, Matthew Palmer paguhen për lobim nga Serbia.
Vuçiq në një intervistë ka thënë se ata të cilët kanë shpikur këto fakte, duhet “t’u vijë turp”.
“Është një gënjeshtër e tmerrshme që lobistët tanë janë Grenell, Palmer, Escobar. Është e tmerrshme kjo që ata po bëjnë. Është e qartë për këdo që udhëheq këtë vend se ata po shkatërrojnë, ata që janë 100 për qind kundër nesh, dhe përveç faktit që është një gënjeshtër e tmerrshme dhe çuditem se si nuk u vjen turp”, tha Vuçiq.
Vuçiq ka folur edhe për iniciativën “Open Ballkan” dhe refuzimin e Kurtit për t’iu bashkuar asaj.
Ai thotë se kryeministri i Kosovës nuk e ka problemin me nismën në fjalë, por me presidentin e Serbisë.
“Ekonomia më e madhe dhe më e fortë është e Serbisë dhe Serbia tashmë është lider në rajon. Serbia është ende një problem për disa dhe ata do të kënaqen vetëm nëse Serbia poshtërohet. Unë nuk do ta ofendoj Kurtin siç më fyen ai mua. Gjithmonë jam përpjekur të flas , po i kuptoj. Kurti thotë se për ta ka vetëm një problem – Vuçiqin, sepse do ta kishin më të lehtë t’i ndiqnin interesat e tyre me gjithë të tjerët. DOS-i e liroi nga burgu në Nish”, tha Vuçiq.