Thirrjes së presidentes Vjosa Osmani, që Evropa t’i parandalojë taktikat agresive dhe destabilizuese të Serbisë ndaj fqinjëve të saj, kryetari serb, Aleksandër Vuciq iu kundërvu me paralajmërimin se të gjithë po bëhen gati për luftë dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën Prishtinës.
Duke vënë në pah se Vuçiq nuk ka zgjedhur anën e pajtimit, e para e shtetit e ka quajtur këtë deklaratë si jehonë të rrezikshme, duke ngritur një paralele mes Vuçiqit dhe kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviq.
Kjo qasje e Vuciqit, nga këndvështrimi i njohësve të sigurisë, tregon qartë se Serbia vazhdon të jetë faktori kryesor i pasigurisë në Ballkan. Sipas Bedri Elezit, presidenti serb po përpiqet të viktimizojë serbët në rajon dhe të justifikojë veprimet e Serbisë përmes pretendimeve për shkelje të të drejtave të tyre.
“Këto deklarata janë një formë e hapur kanosjeje ndaj sigurisë në Ballkan. Serbia ka bërë lëvizje ushtarake pranë kufijve të Kosovës dhe ka përdorur edhe mjete për cenimin e hapësirës ajrore të vendit tonë”, tha Bedri Elezi njohës i çështjeve të sigurisë.
Nga ana tjetër, analisti për çështje të sigurisë, Arben Dashevci, vlerëson se deklaratat e Vuçiqit janë pjesë e një siç e quan ai, “lufte speciale” propaganduese.
“Këto janë vetëm vazhdimësi e një lufte hibride që Serbia po e zhvillon për të fshehur problemet e saj të brendshme. Vuçiq ka qenë dikur ministër i propagandës, dhe kjo është mënyra e tij e veprimit”, theksoi ai.
Duke nënvizuar se Serbia po përballet me tensione të brendshme dhe protesta, nga këndvështrimi i njohësve të sigurisë, Vuciq përpiqet ta zhvendosë vëmendjen jashtë vendit të tij, duke krijuar tensione në rajon. Ndaj, sipas tyre, koordinimi i ngushtë i institucioneve të Kosovës me aleatët perëndimorë mbetet çelësi për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan.
“Prandaj, Kosova duhet të veprojë me kujdes dhe në koordinim të plotë me SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe NATO-n”, tha Bedri Elezi njohës i çështjeve të sigurisë.
“NATO dhe misioni KFOR janë reaguesit e parë dhe garantojnë se nuk do të lejohet asnjë formë konflikti. Garancia e SHBA-ve është e mjaftueshme për të ruajtur paqen në rajon”, theksoi Arben Dashevci analist i sigurisë.
Ndërkohë që njohës të fushës së sigurisë vënë në pah Serbia po përpiqet të destabilizojë rajonin përmes veprimeve hibride dhe retorikës nxitëse, presidentja Vjosa Osmani ka ripërsëritur se Kosova ka zgjedhur paqen dhe se do ta mbrojë atë me çdo kusht./RTK


