Një ditë pas kritikave të Parlamentit Evropian për mospërputhjen e sanksioneve kundër Rusisë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do t’i drejtohet publikut.
Në një adresim të planifikuar prej orës 18:00, Vuçiq do të flasë lidhur me zhvillimet në Ukrainë dhe veprimet e Serbisë përkitazi me situatën atje.
Vuçiq do t’i informojë qytetarët për planet dhe masat e shtetit për mbrojtjen e sistemit ekonomiko-financiar të vendit dhe do të prezantojë qëndrimin e Serbisë për çështje të tjera të rëndësishme ekonomike dhe politike, raportojnë mediat serbe.
Parlamenti Evropian ka shprehur “keqardhje të thellë” për veprimet e Qeverisë së Serbisë në raport me krizën në Ukrainë, sipas një projekt-rezolute që është votuar të martën.
Sipas projekt-rezolutës së propozuar në Parlamentin Evropian, të cilën e ka siguruar portali Euractiv, Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësime për mospërputhjen e veprimeve të Serbisë me sanksionet e vendosura të BE-së kundër Rusisë.
“Fuqishëm shprehim keqardhje për mospërshtatjen e Serbisë me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, gjë që dëmton procesin e anëtarësimit drejt BE-së dhe përsëritet pritja që kandidatët për anëtarësim në BE të përshtaten jo vetëm me ligjet e BE-së, por edhe me politikën e jashtme dhe të sigurisë së bllokut”, thuhet në rezolutën që pritet të votohet në Parlamentin Evropian.
Njëkohësisht, sipas kësaj rezolute, theksohet se mospërputhja e vendimeve të Serbisë me politikën e jashtme të BE-së dëmton procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.


