Presidenti serb Aleksandar Vuçiq sot do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku pritet të vazhdojë propagandën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Para fillimit të kësaj asambleje, gazeta serbe “Danas” sot ka publikuar emrat e tetë shteteve me të cilat thotë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po negocion, duke cituar burimet diplomatike.
Ndonëse kjo ende nuk është prezantuar në opinion, “Danas” thotë se “në sirtarin” e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund të ketë vende kryesisht të vogla afrikane si p.sh. Mbretëria e Eswantinit, Gabonit dhe Somalisë dhe disa shtete të Amerikës Latine si Antigua dhe Barbuda.
Gjithashtu, shtete të tjera, sipas Danas, mund të jenë Egjipti, Peruja dhe Republika Domenikane.
“Një luftë e veçantë diplomatike po bëhet për pozitën e Kosta Rikës, e cila është vendi i parë që ka njohur pavarësinë e Kosovës”, shkruan Danas.
Në prag të nisjes së Presidentit të Serbisë në Nju Jork për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, një nga temat kryesore në opinionin serb ishin marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Vuçiq tha se shteti i tetë së shpejti do të tërhiqte njohjen e Kosovës. Ai moment mund të arrijë pikërisht në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, nëse shtrohet çështja e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara, siç ka shkruar më parë Danas bazuar në informacione jozyrtare nga burime diplomatike. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur së fundi për kërkesën e re të Kosovës për ulëse në OKB.
Megjithatë, është ende e pasigurt nëse kjo temë do të arrijë në rendin e ditës të seancës ku në fokus do të jetë çështja e luftës në Ukrainë, por sipas burimeve të Danas, misioni diplomatik i Serbisë në Nju Jork “do ta shfrytëzojë këtë mundësi për të forcuar marrëdhëniet me vendet që nuk e njohin Kosovën dhe vazhdojnë të lobojnë në fushatën e çnjohjes”.
“Unë duhet të takohem me Olaf Scholz, pastaj me përfaqësues të vendeve të Amerikës Qendrore – Guatemala, Nikaragua, Kosta Rika dhe më pas me përfaqësues të vendeve afrikane – Eswantini, Mozambiku, Nigeri, Gaboni, si dhe me shumë përfaqësues të vendeve europiane”, tha Vuçiq.