Lajme

Vuçiq me rastin e 23 vjetorit të intervenimit të NATO-s: “A ishte fajtor Milosheviqi? NATO ishte fajtore”

03/23/2022 23:31
nga:Astrit Gashi

Duke folur me rastin e 23 vjetorit të sulmit të NATO-s kundër Serbisë, me qëllim të parandalimit të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë nga ana e forcave serbe, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, prapë synoi të paraqes vendin e tij si një viktimë, duke thënë se “tingëllon si marrëzi kur Perëndimi akuzon Rusinë për agresion dhe pastaj dikush ua kujton atyre atë që kanë bërë”.

“Ju nuk mund të ringjallni njerëzit. Sot, pas 23 vitesh, është mirë të shihet se sa i tmerrshëm, i gabuar dhe i paligjshëm ishte veprimi i 19 vendeve anëtare të NATO-s. Në një botë pa moral, vlera dhe parime, ne duhet të ruajmë moralin tonë, vlerat tona dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare. Kjo i jep Serbisë forcë shtesë dhe notë morale dhe liridashëse, që është thelbi i mbijetesës së kombit tonë”, theksoi ai.

Ai theksoi se do të ketë vendime të vështira, por se duhet ta mbahet drejtimi kryesor.

“Ne duhet të respektojmë moralin, por jo me çmimin e rrezikimit të popullit tonë. Milosheviqi u përball me diçka që askush nuk mund ta pranonte,” tha Vuçiq.

President serb ka qartësuar se çfarë do të bënte, po të ishte në vend të Slobodan Milosheviqit.

“Pas disa ditësh do ta ndaloja, do të jepja dorëheqjen apo çfarëdo tjetër, do të ndaloja, 78 ditë janë shumë 78”, theksoi ai.

Siç tha ai, “ne e dinim që askush nuk na ndihmonte dhe nuk do të na ndihmonte”.

“Mos harroni se edhe Rusia votoi për sanksionet atëherë. A ishte fajtor Milosheviqi? Ai që sulmoi vendin ishte fajtor. NATO ishte fajtore”, tha Vuçiq.

Presidenti i Serbisë foli edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, duke thënë se “se është patriotizëm të ruhet paqja dhe jetët e serbëve në Kosovë”.

Siç tha ai, është e rëndësishme që “të investojmë atje dhe të shohim se si mund t’i ndihmojmë ata”.

“Të ndërtojmë Graçanicën dhe Mitrovicën e Veriut, të ndihmojmë martirët tanë në famullinë e Siriniqit. Ne duhet ta ruajmë paqen dhe të kujdesemi për prindërit dhe fëmijët tanë”, tha presidenti serb.

Vuçiq më tutje shtoi se Serbia nuk dëshiron të pranojë njohjen Kosovës, “me qëllim që Prishtina të ja u njeh serbëve atje të drejtën për të votuar”.

“Ata dëshironin të merrnin, me vulën e Qeverisë së Serbisë, konfirmimin se “Qeveria e Serbisë kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, veprim ky me të cilin de fakto do të njihnim pavarësinë e rrejshme të të ashtuquajturit shtet të Kosovës”, ka thënë Vuçiq.