Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit që pati me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, heksoi se roli i KFOR-it më 31 korrik ishte vendimtar dhe se Stoltenberg thirri komandantin e KFOR-it atë mbrëmje pas bisedës, gjë që kishte efekt në qetësimin e tensioneve në veri të Kosovë.
“Faleminderit Stoltenberg për dëshirën për të dëgjuar qëndrimin e Serbisë. Ne folëm për atë që po ndodhte, nuk duhet t’i shohim të gjitha anët me të njëjtin sy. Ne respektojmë rolin e KFOR-it, Stoltenberg ra në kontakt me komandantin e KFOR-it në mbrëmjen kritike rreth orës 21, e cila ndikoi në qetësimin e tensioneve. Ne do të vazhdojmë ta respektojmë mandatin e KFOR-it dhe besoj se gjithmonë do të gjejmë mirëkuptim”, tha Vuçiq.
Ai theksoi se “paqja dhe stabiliteti janë të një rëndësie vendimtare për Serbinë”.
Ai theksoi se i ka dorëzuar Stoltenbergut një listë të ndërhyrjeve të njësive speciale në veri dhe “të të gjitha incidenteve dhe sulmeve ndaj popullatës serbe”.
Sa i përket dialogut, Vuçiq e ka parë takimin si të vështirë.
“Paqja dhe stabiliteti janë shumë të rëndësishme për Serbinë. Nuk dua t’ia lë fajin dikujt. Do të kemi diskutime të vështira nesër, ne nuk pajtohemi thuajse në asgjë. Ne duam të forcojmë bashkëpunimin me KFOR-in dhe NATO-n, dhe duam të evitojmë çfarëdo konflikti. Ne besojmë që nuk kemi bërë asnjë lloj provokimi”, ka thënë mes tjerash Vuçiq.
I pyetur nga gazetarët për bazën ushtarake ruse në Serbi dhe mediat e Prishtinës që shkruanin se ushtria serbe ka kaluar vijën administrative, Vuçiq tha se kjo nuk ka ndodhur kurrë.
“Ashtu siç gënjejnë për 180 ditë se ne duam të sulmojmë. Faleminderit NATO-s që nuk e komentoi atë, siç e kanë bërë disa. Sa i përket bazave ushtarake, Serbia nuk ka nevojë për bazat e askujt, ne duam paqe dhe vetëm për të siguruar parajsën tonë dhe tokë”, tha Vuçiq.


