Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për Euronews, ka thënë se gjithçka që është nënshkruar në dialogun Beograd-Prishtinë dhe që është nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, duhet të zbatohet, përcjellë GazetaBlic.
Vuçiq tha se kur është fjala për Asociacionin e Komunave Serbe, nën patronatin e BE-së, janë nënshkruar katër marrëveshje – plani i zbatimit, parimet, menaxhimi dhe Marrëveshja e Parë.
“Këto janë katër marrëveshje. Ne tashmë kemi nënshkruar gjithçka dhe, natyrisht, është nënshkruar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe duhet të zbatohet. Dhe ky nuk është qëllimi përfundimtar. Qëllimi përfundimtar është që serbët dhe shqiptarët të jetojnë së bashku, për të jetuar shumë më mirë dhe për të respektuar njëri-tjetrin pa armiqësi.Nuk kam në plan të flas për fajin e askujt, nuk ka rëndësi nëse do te arrihet për tre muaj apo tre vjet, por nëse ia dalim do te jetë një sukses historik”, tha Vuçiq.
I pyetur nëse po përgatitet për një raund të ri të bisedimeve me përfaqësuesit e Kosovës dhe cilat janë “vijat e kuqe”, presidenti i Serbisë tha se nuk flet shpesh për vijat e kuqe, sepse nëse flitet shumë për to, atëherë nuk ka negociata reale dhe “pala tjetër do të insistojë vetëm në ato vija të kuqe”.
Është më e rëndësishme, shtoi ai, të bisedohet siç duhet, që do të thotë “përpjekja për të gjetur zgjidhje kompromisi”.
“Ne jemi të gatshëm ta bëjmë. Sigurisht që të dyja palët kanë vijat e tyre të kuqe dhe këtë nuk mund ta mohoj, por ne, besoj se të dyja palët, duhet të bëjmë shumë për të normalizuar situatën mes kombeve tona, popujve tanë dhe duke pasur parasysh këtë, unë besoj se është në interes të të dyja palëve të sigurojnë qarkullimin e lirë të mallrave, njerëzve dhe kapitalit. Ne duhet të punojmë me shumë zell për këtë, si dhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme”, nënvizoi Vuçiq.
I pyetur nëse Serbia është e gatshme t’i bëjë disa lëshime palës kosovare kur bëhet fjalë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës apo të paktën të fillojë atë procedurë, Vuçiq tha se ata “tashmë e kanë filluar atë procedurë në Këshillin e Evropës, pa pyetur Serbinë dhe se nuk u duhet Serbia për këtë”.
Megjithatë, ai nënvizoi se ka rregullore dhe një plan të propozuar nga gjermanët dhe francezët në lidhje me organizatat ndërkombëtare.
“Ata morën përgjigjen time për këtë, unë i thashë (Emanuel) Macronit dhe dhe (Olaf) Sholzit drejtpërdrejt se çfarë mendoj për pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe disa gjëra të tjera. Por ne jemi të gatshëm të flasim për çështje të tjera, ne jemi gjithmonë të gatshëm. Ne gjithashtu duhet të diskutojmë disa ligje që duhet të miratohen dhe këtë do ta diskutoj në Ohër me bashkëbiseduesit e mi dhe disa njerëz të tjerë. Por ne jemi të gatshëm të diskutojmë shumë çështje dhe ata i dinë vijat e mia të kuqe”, tha Vuçiq dhe përsëriti se ai nuk dëshiron të flasë për këtë publikisht sepse dëshiron të lërë shumë hapësirë për zgjidhje të mundshme kompromisi”, tha Vuçiq, përcjellë GazetaBlic.


