Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se Serbia po shqyrton mundësinë e importit të naftës nga Lindja e Mesme, por përmes portit të Durrësit, kanë raportuar mediat në Shqipëri.
Duke folur për Radio Televizionin Vojvoda, Vuçiç theksoi se tashmë ishte në bisedime me partnerë nga Lindja e Mesme për mundësinë e importimit të naftës nga ana e Serbisë, e po ashtu është në negociata me palën shqiptare për të transportuar naftën përmes portit të Durrësit.
“Po diskutojmë importin e naftës nga Lindja e Mesme nëpërmjet portit të Durrësit. Tashmë po flas me miqtë tanë nga Lindja e Mesme për të importuar naftë prej tyre. Mënyra më e mirë dhe më e lehtë është të shkosh në Durrës. Tani po shikojmë se si të organizojmë transportin nga Durrësi, nëse kemi bote dhe automjete, apo edhe ndonjë një mënyrë tjetër për ta bërë këtë”,- tha Vuçiç.
Ai shtoi se Serbia për çdo ditë duhet të importojë sasi të mëdha të naftës.


