Lajme

Vuçeviq: Vuçiqi sot do të sqarojë çka po ndodhë në Kosovë dhe se çfarë do të ndërmarrë shteti serb

09/13/2024 13:23
nga:N K

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në adresimin e sotëm për opinionin serb do të sqarojë se çka po ndodhë në Kosovë dhe për atë se çka do të ndërmarrë Serbia ndaj këtyre ngjarjeve.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq.

“Presidenti i Republikës në ora 18:00 do të sqarojë se çka në të vërtetë po ndodh, shumë qartë, me detaje, në mënyrë që të gjithë qytetarët e Republikës së Serbisë të kenë pamjen e plotë, që të kuptojmë se çka po na ndodhë dhe pse, cili është qëllimi. Do të tregojë natyrisht edhe se çka do të ndërmarrë shteti ynë në periudhën e ardhshme”, tha Vuçeviq për transmetuesin publik serb.

Ai shtoi se vendimit për aktivitetet e shtetit të Serbisë të cilat do t’i shpalosë sonte Vuçiqi, janë qëndrim i përbashkët i Presidencës dhe Qeverisë së Serbisë.

“Duke i ruajtur serbët në Kosovë, e ruajmë tërë Serbinë në kuptimin e paqes dhe stabilitetit dhe zhvillimin e mëtejmë të vendit”, tha kryeministrit serb ndër të tjera.

Tutje, ai akuzoi kryeministrin Albin Kurti se po punon vazhdimisht për të provokuar serbët dhe se, sipas tij, u ka thënë atyre se nuk mund të qëndrojnë dhe mbijetojnë në Kosovë.

“Jam pothuajse i sigurt se ai nuk do të ndalet me agjendën, planin dhe synimin e tij politik, veçanërisht duke pasur parasysh që provinca do të ketë zgjedhje në shkurt, kështu që ai nuk ka nevojë të flasë për ekonominë, as për rritjen e pagave, as për pensionet, as për GDP-në, as për autostrada, as për kampe shkencore-teknologjike, as për EXPO. Ai mund të flasë vetëm se si do të sillet me serbët, të cilët janë përcaktuar gjithmonë si epiqendra të grupeve të organizuara kriminale”, u shpreh Vuçeviq.

Ai vlerësoi se “sulmi i Kurtit ndaj komunitetit serb” në Kosovë është i padurueshëm për t’u parë, e lëre më për t’u përjetuar.